Reshje bore në veri – ARRSH: Grupet e punës në terren për pastrimin e rrugëve
Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se në rajonin verior ka pasur reshje dëbore me intensitet, ndërsa grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.
Sipas ARRSH-së, po pastrohen rrugët: Kukës-Krumë ,dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës,Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.
ARRSH bën të ditur gjithashtu se në rajonin jugor dhe qendror të vendit moti ka qenë i vranët me reshje shiu, pa sjellë probleme në akset rrugore, ndërsa qarkullimi vijon normalisht.
ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.