Shqipëria Postuar më 20 Qershor 2026, 11:00

Humbjet nga kreditë mund të arrijnë në 5.4% deri në 2030/ Si po e kërcënon klima stabilitetin financiar në Shqipëri?

Nga Alida Lula

Humbjet nga kreditë mund të arrijnë në 5.4% deri në

Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më vetëm një sfidë mjedisore apo ekonomike. Një studim i fundit tregon se efektet e tyre po shtrihen gjithnjë e më shumë edhe mbi sistemin financiar shqiptar, duke rritur rrezikun për bankat dhe sektorët që varen nga kushtet klimatike.

Analiza, e bazuar në të dhënat ekonomike, financiare dhe klimatike për periudhën 2010-2024, evidenton se fenomenet ekstreme si përmbytjet dhe thatësirat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë paguese të bizneseve dhe individëve. Sipas studimit, një ngjarje e rëndë klimatike mund të rrisë mesatarisht me 1.47 pikë përqindjeje nivelin e kredive me probleme në sektorët më të ekspozuar ndaj ndryshimeve të klimës.

Shqipëria konsiderohet ndër vendet më të ndjeshme ndaj këtyre rreziqeve, për shkak të strukturës së ekonomisë së saj. Mbi 35% e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjenerohet nga aktivitete të lidhura drejtpërdrejt me klimën, si bujqësia, turizmi dhe energjia hidrike. Kjo do të thotë se çdo goditje e fortë klimatike mund të ketë pasoja zinxhir në ekonomi dhe më pas në sektorin bankar.

Studimi vlerëson gjithashtu se rreth një e katërta e portofolit të kredive në vend është e ekspozuar ndaj sektorëve me intensitet të lartë karboni. Ndërtimi, industria përpunuese, transporti dhe logjistika mbeten ndër aktivitetet më të prekshme nga politikat e ardhshme të dekarbonizimit dhe kostot shtesë që ato mund të sjellin.

Sipas simulimeve, vendosja e një takse karboni prej 50 eurosh për ton dioksid karboni mund të reduktojë fitimet e këtyre sektorëve me deri në 4%, duke rritur rrezikun e mosshlyerjes së kredive dhe presionin mbi bankat.Në skenarin më pesimist, ku temperatura globale vijon të rritet me ritme të larta, humbjet e akumuluara nga kreditë problematike në sistemin bankar shqiptar mund të arrijnë deri në 5.4% të portofolit total të huave deri në vitin 2030. Më të rrezikuara pritet të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si edhe bizneset agro-përpunuese.

Ndërsa në një skenar më të kontrolluar tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër, humbjet mund të mbeten nën nivelin 2.5%, duke dëshmuar se investimet e hershme dhe masat parandaluese mund të zbusin ndjeshëm kostot financiare të ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se sektori financiar shqiptar mbetet ende në fazat fillestare të përshtatjes. Kreditimi i gjelbër zë një pjesë të vogël të totalit të huave, ndërsa vetëm një numër i kufizuar institucionesh financiare kanë integruar plotësisht rreziqet klimatike në menaxhimin e tyre të riskut.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat