Rezerva më e madhe në Europë: Çekia, shtëpia e “arit të bardhë”!
Qyteti Cinovec në kufirin gjermano-çek ka nën vete një thesar. Në nëntokën e vendit që ndodhet afro 100 kilometra larg Pragës, mendohet të jenë 3-5 % e rezervave botërore me litium. Metali i lehtë ka fituar shumë rëndësi vitet e fundit. Kjo për shkak se litiumi përdoret, ndër të tjera, në prodhimin e baterive, pa të cilat është e pamundur të përfytyrohet transformimi energjetik dhe lëvizshmëria me elektricitet. Çmimet për litiumin janë aq të larta saqë tani edhe Çekisë do t’i leverdiste të hapte miniera.
Sipas një studimi të Dhomës Çeke të Tregtisë, Republika Çeke i ka shteruar të gjitha burimet e rritjes ekonomike. Prandaj vitet e ardhshme vendi kërcënohet nga një stanjacion ekonomik. Minierat e litiumit mund t’i japin ekonomisë çeke një nxitje të re, shpreson kryeministri Petr Fiala. Kur paraqiti vizionin e tij për zhvillimin e Republikës Çeke në tridhjetë vitet e ardhshme, në fillim të shtatorit 2023, ai renditi gjashtë fusha në të cilat Republika Çeke duhet të bëjë investime strategjike, ndër to, edhe nxjerrjen dhe përpunimin e litiumit.
Fshati Cinovec ndodhet në mes të një rajoni minerar. Eksplorimet e para të bëra në vitet 2010 kanë treguar se rajoni përmban nivele të konsiderueshme litiumi. Pjesa më e madhe është në Çeki, por një sasi e vogël ndodhet edhe në Zinnwald të Gjermanisë. Republika Çeke ka nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi me Saksoninë për nxjerrjen e Litiumit. Nga ana çeke, minierat e litiumit do të operojnë nga Kompania Energjetike e Çekisë (CEZ) që kontrollohet nga shteti.
Llogaritet që në Cinovec të prodhohen 2,25 milionë tonë mineral në vit, gjë që do të mundësonte prodhimin e pothuajse 30 000 tonësh hidroksid litiumi. Sipas vlerësimeve aktuale, sasia e xeherorit të nxjerrë duhet të jetë e mjaftueshme për të prodhuar pothuajse një milion bateri makinash në vit. Republika Çeke planifikon t’i prodhonte vetë bateritë, në një giga-fabrikë.
Ashtu si me çdo nxjerrje të lëndëve të para jo të ripërtëritshme, minierat e litiumit kanë gjithashtu një ndikim në mjedis. Në Amerikën e Jugut, ku në të ashtuquajturin “trekëndësh litiumi” midis Bolivisë, Kilit dhe Argjentinës ndodhen rreth 70 për qind e rezervave të litiumit në botë, ka rënë ndjeshëm niveli i ujërave nëntokësore për shkak të shëllirave të litiumit. Në disa raste të pakujdesisë së kompanive minerare janë kontaminuar edhe ajri, uji dhe toka. Në Cinovec, litiumi do të nxirrej nga shkëmbi. Kjo metodë e nxjerrjes kërkon shumë ujë – dhe është shumë më e shtrenjtë se me shëllirë.
Sipas kompanisë energjetike CEZ, procesi i miratimit për minierat e litiumit do të nisë në fund të vitit 2023. Megjithatë, kompania duket të ketë pak dyshime rreth përfundimit të procedimeve: ajo ka blerë tashmë një parcelë toke për një fabrikë përpunimi litiumi, për një miliard koruna çeke – rreth 40,8 milionë euro.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.