Rreziku në shëndet që sjell kriza ekonomike – Çfarë duhet të dini për Listeriozën?
Sipas një sondazhi të YouGov, më shumë se gjysma e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar thonë se shëndeti i tyre është ndikuar negativisht nga rritja e kostos së jetesës. Rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të dëmtojë shëndetin e njerëzve në shumë mënyra, por njëra prej tyre nuk diskutohet aq sa duhet. Ekspertët e sigurisë ushqimore në Britani, në një artikull për “World Economic Forum”, ngrenë shqetësimin mbi rritjen e shkallës së helmimit nga ushqimet, ku veçohet listerioza.
Listerioza është helmimi me ushqim i shkaktuar nga bakteri Listeria monocytogenes. Simptomat mund të fillojnë disa ditë pasi personi ka ngrënë ushqim të kontaminuar, ose 30 ditë më vonë. Mes shenjave përfshihet temperatura e lartë, lodhje, marrje mendsh, të vjella dhe diarre. Ndërsa për njerëzit me sistem imunitar të dobët, listerioza mund të rezultojë në përkeqësime të rënda të shëndetit.
Edhe pse numri i njerëzve që sëmuren gjatë një viti me listeriozë është i ulët, sëmundja është vdekjeprurëse. Thënë kjo, edhe nëse të sëmurët trajtohen me antibiotikë, 20-40% e të diagnostikuarve me listeriozë humbin jetën.
Listerioza zakonisht shkaktohet nga ushqimet e të gatshme që nuk kanë nevojë të gatuhen ose ringrohen, të tilla si peshku i tymosur, mishi i gatshëm, djathrat e papasterizuar, sallatat dhe sanduiçët. Hapat që mund të ndërmerren për të reduktuar rrezikun e helmimit nga ky bakter janë: Gradimi i frigoriferëve që të funksionojnë në temperatura nën 5℃, të tregohet kujdes i shtuar për t’iu përmbajtur datave të skadencës dhe duhet të ndiqen udhëzimet e kohëzgjatjes apo të ruajtjes së një ushqimi pas hapjes së paketimit.
Helmimet nga ushqimi zakonisht vijnë si rezultat i keqpërdorimit të ushqimit (prsh, ushqimi është i papërpunuar, nuk ndahet nga i gatuari, ose duart nuk lahen mjaftueshëm) që çon në kontaminim, më së shumti si pasojë e gatimit në temperatura që nuk janë mjaft të larta për të zvogëluar numrin e baktereve.
Por pse ndikon kriza ekonomike në rritjen e helmimeve? Rritja e kostos së ushqimit dhe rritja e kostos së energjisë ka një efekt të rëndësishëm në financat e familjeve. Duke marrë shkas nga kjo, shumë individë mund të vënë veten në rrezik ndaj listeriozës ose çdo helmimi ushqimor duke u përpjekur të reduktojnë përdorimin e energjisë ose shpenzimet për ushqime.
Në kohë krize, konsumatorët mund të priren të hanë më shumë ushqime që u ka kaluar data e skadencës ose mund të mbajnë në shtëpi edhe produkte që e kanë kaluar datën e rekomanduar për përdorim pas hapjes. Gjithashtu, në momente të vështira ekonomikisht, individët kanë tendencën që të ndryshojnë temperaturën e frigoriferit të tyre për të reduktuar përdorimin e energjisë elektrike. Nga sondazhet e bëra, shumë familjarë shprehen se janë gati të fikin frigoriferët për të kursyer para.
Edhe pse po kërkohet për mënyra të ndryshme kursimi, duhet të kujtojmë se ruajtja e ushqimit për një kohë të gjatë në temperaturën e gabuar mund të krijojë ambjentin perfekt për rritjen e bakterit të listeriosës në shifra të larta, aq sa për të shkaktuar helmim.
Ndaj është me rëndësi që frigoriferët të gradohen në temperatura nën 5℃ dhe të ndiqet me kujdes data e përdorimit dhe udhëzimet e kohëzgjatjes së një ushqimi pas hapjes së paketimit.
Burimi: World Economic Forum
Përshatur nga: Xhenisa Xhangoli/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.