Rusia, eksportuesi i dytë më i madh i naftës në Indi – Furnizuesi më i madh për vendin mbetet Iraku
Rusia është bërë aktualisht furnizuesi i dytë më i madh i Indisë me naftë në muajin maj, duke e zhvendosur Arabinë Saudite në vendin e tretë, por ende pas Irakut, i cili mbetet në vendin e parë, sipas të dhënave nga burime tregtare.
Në muajin maj, rafineritë indiane u furnizuan me rreth 819 mijë fuçi në ditë me naftë ruse, numri më i lartë se në cdo muaj, ndërsa në prill ishin 277 mijë fuçi në ditë.
Sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës bënë që shumë importues të naftës të shmangin tregtinë me Moskën, duke bërë që çmimet e naftës së papërpunuar ruse të regjistrojnë ulje në krahasim me llojet e të tjera.
Kjo i dha mundësinë Indisë, e cila rrallë herë blinte naftë ruse për shkak të kostove të larta të produkteve, që të blejë naftë me çmim të ulët.
Rusia regjistroi rreth 16.5% të importeve të përgjithshme të Indisë në maj. Pjesa e naftës afrikane në importet e papërpunuara të Indisë muajin e kaluar u rrit në 11.5% nga 5.9% në prill.
Analistët shprehen se nëse kërkohet të rritet prodhimi i naftës dhe sigurimi i karburantit të avionëve, atëherë duhet furnizim dhe nga Angola dhe Nigeria. Kina ka reduktuar importet nga Angola për shkak të mbylljes së pjesshme të vendit si pasojë e infektimeve me Kovid. Kështu që disa nga këto fuci nafte do të shkojnë në Europë dhe Indi.
Ata shtojnë se përveç disponueshmërisë së fuçive me naftë ruse me çmim më të lirë, çmimet më të larta zyrtare të shitjes së naftës në Lindjen e Mesme, detyruan Indinë që të blejë naftë të papërpunuar nigeriane.
Importet e naftës së Indisë në maj arritën në 4.98 milionë fuçi në ditë, shifra më e lartë që nga dhjetori 2020, pasi rafineritë shtetërore shtuan prodhimin për të përmbushur kërkesën vendore në rritje, ndërsa privatët u përpoqën të fitonin sa më shumë nga eksportet.
Importet e naftës të Indisë në maj ishin rreth 5.6% më shumë nga muaji i kaluar dhe rreth 19% nga një vit më parë. India ka mbrojtur blerjen e saj të naftës së lirë ruse duke thënë se importet nga Moska përbënin vetëm një pjesë të nevojave të përgjithshme të vendit dhe një ndalim i papritur do të rriste kostot për konsumatorët e saj.
Importet më të larta të naftës nga Rusia, frenuan ato të OPEC-ut në Indi, në 65% në prill.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.