Sa internet shpenzon një person në muaj? – Konsumuam mesatarisht 134 minuta dalëse dhe 8.45 GB internet
Qytetarët shqiptarë kanë konsumuar më pak minuta dalëse, SMS dhe internet gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, konsumi mesatar mujor nga përdoruesit aktiv të shërbimeve celulare ishte 134 minuta dalëse, 12 SMS dhe 8.45 GB internet në periudhën janar-mars 2024.
Nga krahasimi i këtyre vlerave me ato të tre muajve të fundit të 2023-it, konstatohet se konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 2.3%, konsumi mesatar i SMS-ve u ul me 4.5% dhe ai i internetit pësoi rënie me 4.7%.
Nga ana tjetër, rreth 3.7 milionë ishte numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM, 2.6% më pak krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare arriti në përafërsisht 2.5 milionë gjatë tremujorit të parë 2024, shifër që përbën një rënie me 3.5% llogaritur me periudhën e fundit të 2023-it dhe 9.4% më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.
Në lidhje me shifrën totale të minutave, SMS-ve dhe internetit të shpenzuara nga të gjithë qytetarët, vlerësohet se kjo shifër është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën paraardhëse. Rreth 1 miliard minuta ishte totali i thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në tremujorin e parë 2024, duke shënuar kështu një rënie prej 5.7% në krahasim me periudhën pararendëse.
Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare ishte gati 92 milion, shifër që përbën një rënie me 7.9% krahasuar me tremujorin e fundit të 2023 dhe një rënie me 6.3% llogaritur me tremujorin e parë. Ndërkohë që sasia e trafikut të internetit në rrjetet celuare ishte rreth 51 milion GByte.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.