Analiza Postuar më 29 Qershor 2026, 12:19

Ku paguhen më pak gratë? Diferencat më të mëdha shfaqen në industri dhe financa. I favorizon ndërtimi

Nga Eldiona Serani

Ku paguhen më pak gratë? Diferencat më të mëdha shfaqen

Të dhënat për hendekun gjinor në paga sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se diferenca mes pagave të burrave dhe grave në Shqipëri ka pësuar një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2025. Sipas statistikave, hendeku mesatar gjinor në paga ka zbritur nga 4.9% në vitin 2024 në 4.6% në vitin 2025, duke treguar një ngushtim të diferencës në nivelin kombëtar.

Megjithatë, ndarjet sipas sektorëve ekonomikë tregojnë ndryshime të mëdha. Diferenca më e lartë vijon të jetë në sektorët e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese, energjisë, furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve, ku hendeku gjinor në paga arriti në 25.4% në vitin 2025, edhe pse më i ulët krahasuar me 26.3% në vitin 2024.

Një tjetër sektor me diferenca të ndjeshme është ai i aktiviteteve financiare dhe sigurimit, ku hendeku gjinor në paga u regjistrua në 17.8% në vitin 2025, nga 18.4% një vit më parë. Edhe në administratën publike, mbrojtje, arsim dhe shëndetësi, diferenca ishte 10.6%, duke shënuar një ulje të lehtë nga viti 2024.

Në sektorin e tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, hendeku gjinor u rrit gjatë vitit 2025, duke kaluar nga 10.2% në 11.2%. Ndërkohë, në informacion dhe komunikacion diferenca zbriti në 4.6%, nga 5.4% një vit më parë.

Sektori i ndërtimit mbetet një rast i veçantë, pasi regjistroi një hendek negativ gjinor. Në vitin 2025 ky tregues ishte -5.9%, nga -7.1% në vitin 2024, çka tregon se në këtë aktivitet pagat mesatare të grave rezultojnë më të larta se ato të burrave.

Edhe në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, shërbimet profesionale, shkencore dhe administrative, hendeku gjinor në paga u rrit gjatë vitit 2025. Nga -1% në vitin 2024, treguesi zbriti në -4%, duke treguar se në këto aktivitete pagat mesatare të grave rezultojnë më të larta se ato të burrave.

Ndër sektorët me diferencat më të ulëta janë bujqësia, silvikultura dhe peshkimi me 3.1%, si dhe aktivitetet artistike, argëtuese dhe shërbime të tjera me vetëm 0.6%.

Shqipëria 29 Qershor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke pasur një fundjavë në rënie sikurse edhe javën e shkuar teksa është blerë mëngjesin e kësaj atë hëne......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat