Analiza Postuar më 25 Qershor 2026, 14:02

Më shumë lituanezë, danezë dhe indianë në Shqipëri/ Mbi 1.1 milionë hyrje në maj, zgjerohen flukset nga tregje të reja europiane

Nga Xhorxhina Deda

Më shumë lituanezë, danezë dhe indianë në

Maji solli një tjetër rritje të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, por përtej rritjes së përgjithshme, të dhënat tregojnë se po zgjerohet gradualisht edhe harta e vendeve nga vijnë vizitorët. Sipas INSTAT, gjatë muajit në vend u regjistruan 1.14 milionë hyrje të shtetasve të huaj, 15.9% më shumë krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Ndër zhvillimet më të spikatura të muajit ishte rritja e fortë e hyrjeve nga disa vende që deri pak vite më parë kishin një peshë të kufizuar. Lituania regjistroi zgjerimin më të madh, me një rritje prej 273%, ndërsa hyrjet nga Danimarka u rritën me 253%. Ritme të larta u shënuan edhe nga India, me gati 125% më shumë hyrje se një vit më parë, duke treguar një prani në rritje të flukseve nga tregje më pak tradicionale për Shqipërinë.

Në të njëjtën linjë, hyrjet u rritën ndjeshëm edhe nga Polonia (80.4%), Finlanda (83%), Sllovakia (77.6%), Irlanda (62.7%), Ukraina (59.8%) dhe Spanja (56.4%). Edhe pse në vlera absolute këto vende mbeten larg fqinjëve të Shqipërisë, ritmet e rritjes tregojnë një zgjerim të bazës gjeografike të hyrjeve në vend për arsye të ndryshme, mes tyre edhe për punësim.

Pesha kryesore e hyrjeve vijon të mbahet nga vendet e rajonit. Kosova mbetet burimi më i madh i hyrjeve gjatë muajit maj, e ndjekur nga Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia.

Nga ana tjetër, disa tregje europiane shënuan tkurrje. Hyrjet nga Austria ranë me 14.5%, nga Zvicra me 13.5%, nga Gjermania me 9.1%, ndërsa rënie pati edhe nga Serbia dhe Kroacia. Këto luhatje tregojnë se, krahas zgjerimit drejt tregjeve të reja, flukset nga disa vende tradicionale kanë ndjekur një ecuri më të dobët gjatë muajit.

Të dhënat e majit sugjerojnë se, ndërsa vendet fqinje vazhdojnë të dominojnë hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, pesha e vendeve të Europës Veriore, Qendrore dhe e tregjeve më të largëta po rritet gradualisht, duke e bërë strukturën e hyrjeve gjithnjë e më të larmishme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat