Shërbimi ekspres, rriten me 19% dërgesat e shpejta – Posta Shqiptare vazhdon të dominojë 83% të tregut me mbi 5 milionë dërgesa
Posta Shqiptare dhe ofruesit e tjerë të shërbimit postar kanë pranuar dhe dërguar gjithsej 6.1 milionë objekte postare vetëm në tre muajt e parë të këtij viti. Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Posta Shqiptare si ofrues i vetëm i shërbimit universal, dominon 83% të tregut me mbi 5 milion dërgesa në periudhën janar-mars të këtij viti.
Ndërsa 23 subjektet e tjera ofruese të shërbimeve postare përbëjnë vetëm 17% të tregut postar ose mbi 1 milion objekte postare të dërguara. Nga të dhënat e raportuara rezulton se volumin më të madh të objekteve postare e zë shërbimi universal postar me 79%, ndjekur nga shërbimi ekspres me 18% dhe shërbimi jo universal 3%.
Nëse krahasojmë shërbimet e Postës Shqiptare të tremujorit të parë të vitit 2024 me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, vërehet një rënie në shërbimin universal dhe jouniversal postar. Përkatësisht, shërbimi universal postar pësoi një rënie në masën 12% dhe ai jo universal ra me 6%. Ndërkohë, edhe për ofruesit e tjerë të shërbimeve postare, shërbimi jouniveral postar ka pësuar rënie si për postën brenda vendit, ashtu dhe për atë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, i vetmi zë që ka pasur rritje në totalin e tij krahasuar me tremujorin e parë dhe të fundit të vitit 2023, ka qenë shërbimi ekspres, pra ai i dërgesave shumë të shpejta. Shërbimi ekspres është rritur në masën 2% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2023 dhe me 19% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin në këtë rritje e kane si Ofruesit e tjerë, ashtu dhe Posta Shqiptare.
Për sa i përket postës ndërkombëtare në shërbimin ekspres, sasia e objekteve hyrëse nga jashtë vendit dhe të shpërndara në Shqipëri është në vlerën 107 mijë objekte dhe sasia e objekteve postare të pranuara në Shqipëri dhe të dërguara jashtë vendit është në vlerën 31 mijë objekte, pra dukshëm më e ulët se sasia e objekteve të dërguara në Shqipëri.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.