Shitet 103,5 milionë dollarë çmimi Nobel i rusit Muratov – Paratë do të përdoren për fëmijët ukrainas që janë larguar nga vendi
Dimitri Muratov një nga fituesit e çmimit Nobel për paqen në vitin 2021, dhe botuesi i një prej gazetave më të mëdha të pavarura në Rusi, ka shitur në ankand medaljen e tij për shifrën rekord prej 103.5 milionë dollarë. Paratë do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Shuma do të menaxhohet nga UNICEF dhe do përdoret vetëm për ndihma humanitare.
“Novaia Gazeta” e Muratov, një zë shumë kritik ndaj presidentit rus Putin dhe qeverisë së tij, ndërpreu botimin në Rusi në muajin mars pas paralajmërimeve të Kremlinit për të mos raportuar për luftën në Ukrainë.
Presionet kundër shtypit të lirë në Rusi kanë qenë të vazhdueshme por janë përshkallëzuar pasi Moska dërgoi trupa ushtarake në Ukrainë. Muratov u sulmua dhe iu hodh bojë e kuqe në muajin prill.
Sipas mediave amerikane, shuma me të cilën u ble medalja e Muratov është më e larta për çdo çmim Nobel që është vënë në ankand. Medalja që konsiderohej të ishte shitur më shtrenjtë arrinte shumën 5 milion dollarë.
Muratov fitoi çmimin së bashku me Maria Resa nga Filipine për përpjekjet e tyre në mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që është dhe kushti kryesor për demokracinë dhe paqen.
Muratov ia dedikoi çmimin gjashtë gazetarëve të “Novaja Gazeta” që janë vrarë që nga viti 2000.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.