“Shpenzoni kusurin”, fushata e veçantë në Belgjikë. Objektiv, rikthimi në qarkullim i monedhave të vjetra
Një fushatë që u kërkon qytetarëve të shpenzojnë kusurin e tyre ka nisur në Belgjikë, duke dëshmuar se paratë e gatshme po humbasin “terren”. Fushata “shpenzo kusurin” u shfaq në rrjetet sociale në fillim të kësaj jave, duke inkurajuar belgët të nxjerrin nga xhepat dhe shtëpitë e tyre monedha të harruara, që llogariten të jenë 4.2 miliardë copë me një vlerë prej 1.5 miliard euro. Megjithëse përdorimi i parave cash është tkurrur dukshëm në vend me bizneset që shpesh nuk arrijnë t’u japin kusur klientëve.
Shumë shoqata tregtare që operojnë në vend kanë paralajmëruar për një mungesë valutore. Gjithashtu, tre institucione të mëdha financiare kanë folur për mungesë të monedhave 5, 10 dhe 20 cent nga viti 2022. Që nga kriza e pandemisë, konsumatorët i kanë përdorur këto monedha shumë më pak për të paguar blerjet e tyre dhe në vend të kësaj po i mbajnë ato, duke i penguar ato të kthehen te tregtarët dhe bankat. Megjithatë, duke qenë se tregtarët ende kanë nevojë për këto monedha, krijohet një mungesë. Qëllimi i fushatës tani është të kthejë në qarkullim mjaftueshëm monedha dhe të parandalojë prodhimin e të rejave. Në këtë kontekst, qytetarët inkurajohen t’i shpenzojnë, t’i depozitojnë në bankë ose t’ua dhurojnë organizatave.
Sipas përllogaritjeve belge, duke kthyer vetëm 2% të monedhave “të harruara”, shteti mund të kursejë çdo vit të paktën 5 milion euro kosto prodhimi. Gjithashtu, shmangia e prodhimit të ri ka përfitime mjedisore, pasi krijimi dhe transportimi i tyre çliron një sasi të konsiderueshme të dioksidit të karbonit. Arsyeja kryesore pse po harrohen monedhat është, natyrisht, se gjithnjë e më shumë njerëz po i drejtohen metodave të pagesës dixhitale. Sipas një raporti të EKT-së për sjelljen e konsumatorëve, paratë e gatshme janë përdorur për 59% të transaksioneve në Eurozonë në vitin 2022. Kjo shifër është shumë më e ulët se 72% e regjistruar në 2019-ën.
I njëjti sondazh doli në përfundimin se megjithëse konsumatorët preferojnë mënyrat e pagesës elektronike, ata vlerësojnë gjithashtu opsionin për të paguar me para në dorë, veçanërisht ata mbi 55 vjeç.
Austria, Gjermania dhe Irlanda kanë përqindjen më të lartë të qytetarëve që ende preferojnë cash, me përkatësisht 45%, 30% dhe 28%. Në të kundërt, Finlanda regjistroi përqindjen më të ulët me vetëm 7% të qytetarëve që preferojnë paratë e gatshme në vend të pagesave elektronike.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.