Spanja, gati furnizimin me gaz për Francën – Nga 1 nëntori do të pompohen 1,5 miliardë metra kub në vit
Kapaciteti i tubacionit të gazit Spanjë-Francë është rritur dhe mund të përdoret menjëherë nëse është e nevojshme, deklaroi ministrja spanjolle e Energjisë. Operatori i rrjetit Enagas tha se, planifikon që të fillojë pompimin nga 1 nëntori.
Enagas dhe homologu francez Terega kanë maksimizuar përdorimin e kompresorëve në lidhjen që kalon nga qyteti verior spanjoll Irun përtej vargmalit të Pirenejve, duke rritur kapacitetin e tij me 1.5 miliardë metra kub në vit. Kjo përfaqëson një rritje prej 18% në kapacitetin e eksportit të gazit të Spanjës, që do të thotë se ajo mund të furnizojë ekuivalentin e 6% të konsumit të gazit natyror të Francës.
“Stacioni është teknikisht i përgatitur për të dërguar gaz kur fqinjët tanë francezë e kërkojnë atë,” tha Ministrja e Energjisë, Teresa Ribera, gjatë një vizite në Irun, ku është qendra e gazsjellësit. Ekzistojnë dy tubacione gazi mes Spanjës dhe Francës dhe një ndërlidhje e tretë po shqyrtohet në mes të një krize energjetike europiane të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ribera përsëriti se ideja e një tubacioni të tretë, të quajtur Midcat, nuk u shua pavarësisht kundërshtimeve të Francës.
Spanja do të përmirësojë gjithashtu objektet e fabrikës së rigazifikimit të Enagas në portin e Barcelonës për të “maksimizuar solidaritetin me Italinë”, tha Ribera, duke shpjeguar se një bankinë në port do të përshtatet për të rritur kapacitetin e ngarkimit për anijet që transportojnë gaz në Itali. Spanja dhe Portugalia kanë shtatë terminale të gazit të lëngshëm, që mund të ndihmojnë në furnizimin e Europës Qendrore nëse ndërtohen tubacione shtesë.
Franca është kundër ndërtimit të një gazsjellësi të tretë midis saj dhe Spanjës, duke argumentuar se dy tubacionet ekzistuese janë të pashfrytëzuara me flukse që shkojnë kryesisht drejt Spanjës.
Spanja eksportoi 13,075 GWh gaz neto midis janarit dhe gushtit të këtij viti përmes dy tubacioneve, ndërsa një vit më parë flukset regjistronin importe neto prej 6,172 GWh nga fqinji i saj verior, sipas të dhënave nga Enagas.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.