Të pasurit francezë “arratisen” nga vendi – Gjendje paniku nga mundësia e rritjes së taksave për kategorinë
Dorina Kurtaj / SCAN
Disa nga banorët më të pasur të Francës tashmë po mendojnë të largohen nga vendi, të shqetësuar për mundësinë e rritjes së taksave dhe paqëndrueshmërisë politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.Kështu shkruan Bloomberg, duke iu referuar menaxherëve që menaxhojnë fonde të mëdha investimi.
Pas zgjedhjeve, asnjë bllok politik nuk ka shumicën në parlament, por aleanca e majtë mori shumicën e vendeve. Disa këshilltarë të investitorëve të pasur theksojnë se më shumë nga klientët e tyre janë në panik dhe tashmë kanë filluar transferimin e kapitalit jashtë vendit. Shumica janë të shqetësuar se ndërsa as e djathta dhe as e majta ekstreme nuk i fituan zgjedhjet plotësisht, disa nga propozimet e fushatës së partive, si taksat më të larta, së shpejti mund të bëhen ligje.
Pas Brexit, pati një fluks bankierësh në Francë, por këta njerëz me të ardhura të larta do të largohen sepse nuk duan të paguajnë më shumë taksa.
Fronti i Popullit i Ri i majtë, i cili fitoi shumicën e vendeve në zgjedhje, premtoi të tatonte mbi fitimet e kompanive dhe të rivendoste një taksë mbi pasurinë për të pasurit. Një ligj i tillë do të ishte në kundërshtim me politikat e prezantuara nga presidenti Emmanuel Macron, të cilat konsiderohen më ‘miqësore’ me të pasurit dhe madje i kanë dhënë atij pseudonimin ‘presidenti i të pasurve’.
Njerëzit që mund të largohen do e bëjnë një gjë të tillë nëse miratohen politika ekstreme. Franca nuk do të ishte më tërheqëse për të huajt dhe të pasurit do të largoheshin. Disa njerëz filluan të zhvendosnin kapitalin jashtë Francës edhe para raundit të dytë të votimit, kryesisht në vende si Zvicra dhe Luksemburgu. Shumica e menaxherëve të pasurisë thonë se vende si Italia, Dubai, Singapori dhe SHBA janë gjithashtu ndër destinacionet drejt të cilave shumë të pasur francezë po drejtojnë biznesin e tyre.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.