Trazira në industritë e mikroçipëve në mbarë botën – Punëtorët në grevë për më shumë para dhe përfitime
Dorina Kurtaj /SCAN
Brenda fabrikave të Samsung Electronics, rradhë të tëra makinerish prodhojnë gjysmëpërçues gjatë gjithë kohës me ndihmën e vetëm disa punëtorëve. Por shumë prej punëtorëve kanë nisur një grevë. Dhe situata e krijuar prek grupet e prodhimit të gjysmëpërçuesve ndërkombëtarisht. Industria po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pasi gjysmëpërçuesit përdoren kudo, fitimet po rriten dhe investimet po vërshojnë, kështu që punëtorët nga Koreja e Jugut në SHBA po kërkojnë një pjesë në përfitimet.
Sa nga ato para duhet t’u jepen atyre? Në këtë drejtim, duhet theksuar se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një mobilizim të ngjashëm, pasi sindikatat përpiqen të organizojnë punonjës në disa fabrika të çipave, pronarët e të cilave duhet të marrin fondet e qeverisë.
Qindra miliarda dollarë investime në mbarë botën po derdhen në gjysmëpërçues. SHBA dhe aleatët e saj e konsiderojnë sektorin një industri strategjike, duke nxitur kërkesat e punëtorëve për trajtim më të mirë. Të ardhurat vjetore të industrisë pritet të dyfishohen në 1 trilion dollarë deri në vitin 2030. Shumica e qendrave të prodhimit të gjysmëpërçuesve në botë, duke përfshirë ato në SHBA, Korenë e Jugut dhe Tajvan, kanë qenë pa sindikata në dekadat e fundit, por tani kjo po ndryshon.
Sindikata në Samsung Electronics në veçanti filloi në vitin 2019 dhe bashkon gati 25% të rreth 125.000 punëtorëve të saj në Korenë e Jugut. Përveç Samsung-ut, pak ditë më parë edhe punëtorët e “Analog Devices” në Oregon, SHBA, zhvilluan një tubim, duke kërkuar kushte më të sigurta pune dhe një pagë minimale prej 27 dollarë në orë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.