Tre bashkitë që ndajnë “tortën” e taksave vendore – 76 % e të ardhurave “monopol”, vetëm 24 % mblidhen nga 58 bashki
Të ardhurat nga taksat vendore të 61 bashkive në vend regjistruan një nivel prej rreth 12.2 miliardë lekë apo 104.5 milionë euro në gjysmën e parë të vitit, në një rritje me rreth 21% në terma vjetorë apo rreth 17 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Krahasuar me të ardhurat e gjeneruara në gjysmën e parë të vitit 2019, të ardhurat nga taksat vendore shënuan rritje me rreth 21%. Të dhënat janë bërë publike në raportin e financave vendore të hartuar nga CO Plan dhe ajo që bie në sy është se tre bashki ndajnë mes tyre “tortën” e të ardhurave të përgjithshme nga takast vendore.
Konkretisht rreth 69% e të ardhurave nga taksat vendore gjenerohen në bashkinë Tiranë, bashkia më e madhe në vend e cila gëzon numrin më të lartë të bizneseve dhe popullsisë, ndjekur nga bashkitë Durrës (rreth 4%) dhe Vlorë (rreth 3%). Ndërsa 58 bashkitë e tjera ndajnë mes tyre vetëm 24 për qind të të ardhurave nga taksat.
Në 64% të bashkive (39/61 bashki), të ardhurat nga taksat vendore shënuan norma pozitive rritjeje. Në të kundërt, në disa bashki rezulton që të ardhurat nga taksat vendore të kenë patur tkurrje në terma vjetorë si psh. në bashkitë Kuçovë, Kurbin, Lezhë, Patos, Libohovë, Tepelenë, Mirditë, Fier etj.
Në strukturën e të ardhurave nga taksat vendore mbizotëron kontributi i të ardhurave nga dy taksa kryesore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall).
Së bashku këtu dy lloje taksash përfaqësuan rreth 88% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore në gjashtëmuajt e pare të vitit 2022. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijon të jetë i ulët.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.