Tregu monetar, në pritje të takimit të FED – Dollari amerikan qëndron pranë nivelit më të lartë në 2 dekada
Tregu i monedhave po shfaqet i qëndrueshëm në sesionin e sotëm, pasi investitorët kanë rritur bastet se Rezerva Federale ka shumë punë për të bërë për të kontrolluar inflacionin, që për muajin e kaluar rezultoi në 8.3%.
Në anën tjetër, euro ka gjetur një mbështetje nga deklarata e politikëebërësit të Bankës Qendrore Europiane, Francois Villeroy de Galhau (Fronsua Vilërua dë Galo), i cili tha se norma bazë e interesit mund të shkojë pranë 2% deri në fund të këtij viti.
Javën e ardhshme do të mblidhen guvernatorët e Rezervës Federale për të vendosur mbi politikat monetare. Analistët vlerësojnë 37% mundësi që banka qëndrore të rrisë normën bazë të interesit me 1 pikë të plotë përqindje. Referuar të dhënave të tjera, çmimet e prodhimit në SHBA ranë për të dytin muaj me radhë, gjatë gushtit, pasi kostot e karburantit vijuan tendencën në rënie.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë gjashtë monedhave kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 109.7, shumë pranë nivelit më të lartë në dy dekadat e fundit.
Në tregun e kriptomonedhave, Bitcoin po tregtohet në rreth 20 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1600 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.