“Urbani”, linja më e re e transportit në Tiranë – Financime nga BE e Gjermania, projekti kushton 112 milionë euro
“Transporti i gjelbër në Tiranë”, është projekti që u prezantua nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, bashkë me ambasadorin gjerman Karl Bergener si dhe ambasadorin e BE Silvio Gonzato. Sipas Veliajt, ky projekt është një risi që synon zhvillimin, projektimin dhe funksionimin e sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë.
“Tashmë 145 stacione do të rimodelohen jo vetëm me brendin e ri “Urbani”, por edhe me tabelat elektronike, me parashikueshmërinë e çdo autobusi që vjen në stacion, me një çip që do të ketë çdo autobus që të dimë sa km janë bërë, për efekt të informimit të qytetarit, por edhe për efekt të subvencionit që ne duam të japim eventualisht për të mbështetur transportin publik”, tha Veliaj.
Bashkimi Europian do të ofrojë 32 milionë lekë grante për këtë projekt, ndërsa gjatë fjalës së tij, ambasadori Gonzato theksoi rëndësinë e projektit për Tiranën.
“Ky projekt do ta ndihmojë Tiranën në sfidat me trafikun dhe do të kontribuojë në jetën e qytetarëve. Në tre akse kryesore do të kemi autobusë të shpejtë elektrikë. Do të ulen edhe emëtimet që shkaktojnë dëme në shëndet. Kjo flotë me emëtime zero do ta ndihmojë Shqipërinë. Transporti urban është edhe vena kryesore e qyteteve tona. 32 mln euro në grante po ofron BE për këtë projekt. Ky është kontributi i drejtpërdrejtë që ne po i japim Bashkisë së Tiranës. Dhe ky është një shembull i qartë për të treguar që Europa është këtu”, tha Silvio Gonzato, Ambasador i BE.
Ndërkohë për këtë projekt ambasadori i Gjermanisë theksoi se vendi i tij do të ketë kontributin më të madh duke dhënë hua më shumë se 50 milionë euro.
“Të gjitha këto ndryshime, ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe i gjithë ky ndryshim nuk vjen pa një pagesë dhe kërkon po ashtu ekspertizë. Për të qenë më të saktë, ky do jetë një projekt prej 112 milionë eurosh dhe ne Republikë Federale do jemi kontributori më i madh me një hua me më shumë se 50 milionë euro, në kuadrin për investimit për Ballkanin Perëndimor. Jemi besimplotë si qeveri e Gjermanisë së këto para do të shpenzohen më së miri, dhe veçanërisht qytetarët e Tiranës do të përfitojnë nga një transport i shpejtë, më pak ngecje në trafik”, tha Karl Bergner.
Diamila Leka/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.