2 mijë vende të lira pune nga 50 kompani – Panairi “Work and Study”, oferta në sektorë të ndryshëm
Mbi 50 kompani private dhe publike janë stacionuar në Pallatin e Kongreseve duke ofruar afro 2 mijë pozicione të lira pune për të gjithë të rinjtë që duan të integrohen në treg apo për ata që duan të ndryshojnë pozicion. Ky është edicioni i 15 i panairit “ Work and Study” që zhvillohet në kryeqytet.
Kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, u bëri apel punëkërkuesve që të mos synojnë emigracionin por të shfrytëzojnë mundësitë që ofron sipërmarrja shqiptare në tregun e punës.
Po ndërsa vijon të ketë ende një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës, Ministria e Arsimit po ndërmerr politika me qëllim që ti përshtatet asaj që ka nevojë tregu i punës.
Referuar të dhënave të INSTAT për tremujorin e fundit të vitit 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10,7 %. Numri i të papunëve gjithsej është ulur me 1,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 0,4% më shumë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.