2024, viti i afrimit Shqipëri-Kosovë – Në janar u hap korridori ajror, në shkurt ALPEX bashkoi tregu energjetik. Avancon hekurudha Durrës-Prishtinë
Dy shtetet shqiptare të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Kosova përgjatë këtyre viteve kanë njohur një forcim të bashkëpunimit ekonomik. Marrëveshjet e nënshkruara ndër vite mes qeverive kanë afruar dhe më tej dy vendet duke rritur ndjeshëm shkëmbimet njerëzore dhe ekonomike.
Kosova po kthehet në një treg shumë të rëndësishëm të mallrave të Shqipërisë, e sidomos të materialeve të ndërtimit dhe metaleve. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë dyfishuar duke e kthyer Kosovën në një prej partnerëve tregtarë me rritjen më të shpejtë të shkëmbimeve. Po përtej hapave që janë ndërmarrë në vitet e kaluara, ky vit duket se ka qenë vit I një afrimi madhor mes dy vendeve në aspektin infrastrukturor.
Një hap i rëndësishëm ishte ai i 1 janarit të këtij viti, kur u zyrtarizua hapja e korridoreve ajrore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Tashmë me shfrytëzimin e korridorit ajror të Shqipërisë, udhëtimet e Kosovës drejt perëndimit dhe anasjelltas, shkurtohen me 15 minuta. Kjo nënkupton jo vetëm shkurtimi të kohës së fluturimit, por edhe ulje të çmimit të biletave për ata që udhëtojnë për dhe nga Kosova.
Një hap tjetër në drejtim të bashkimit të dy vendeve ishte dhe ai i 1 shkurtit të këtij viti. Kjo datë viti ka shënuar edhe bashkimin zyrtar të tregut energjetik Shqipëri – Kosovë, me lëvrimin e energjisë së tregtuar në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX. Operimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike nisi në prill të vitit të kaluar, ndërkohë që bashkimi i zonave të ofertimit Shqipëri – Kosovë ishte pjesë e planit, për të mundësuar një treg më të gjerë.
Aktualisht, në Bursën Shqiptare të Energjisë janë 21 kompani të anëtarësuara, teksa pjesa dërrmuese janë kompani shqiptare. Më konkretisht janë 17 kompani nga Shqipëria, ku përfshihen edhe 5 kompanitë publike të energjisë, dhe 4 kompani nga Kosova. 2 prej këtyre të fundit janë publike dhe 2 të tjerat, private.
Një projekt tjetër i rëndësishëm që kontribuon në bashkimin infrastrukturor të të dy vendeve është edhe ndërtimi i hekurudhës Durrës -Prishtinë. Ky projekt që ka nisur tashmë i jep akses Kosovës dhe në detin Mesdhe. Kjo hekurudhë vlerësohet se ka rëndësi si në aspektin ekonomik, ashtu edhe gjeopolitik.
Kostoja e përafërt e hekurudhës Durrës-Prishtinë është llogaritur në 700 milionë euro. Kjo hekurudhë, cilësohet jo vetëm një alternativë transporti tregtar që do të lidhë portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, por edhe për udhëtarët.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.