5 ujësjellës kërkojnë rritje tarifash – ERRU nis shqyrtimin, aplikime nga Durrësi, Elbasani, Kukësi, Bulqiza e Konispoli

5 shoqëri ujësjellësish kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit për rritjen e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizime, teksa ky dikaster ka nisur shqyrtimin e tyre. Elbasani, Kukësi, Bulqiza dhe Konispoli kanë depozituar kërkesat për nivel të ri tarife për çdo kategori abonentësh, ndërkohë që për Durrësin ka nisur procedura për miratim të tarifave të shitjes së ujit me shumicë për shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas ERRU-së, “shitja e ujit me shumicë” është situata në të cilën uji shitet tek një blerës nga një ose disa pika shpërndarjeje me qëllimin e rishitjes së tij për konsumatorët individualë brenda zonës së shërbimit të blerësit me shumicë. Ndërkaq, është e paqartë nëse aplikimi për ujësjellësin e Durrësit përfshin edhe Shijakun, Krujën, Kavajën dhe Rrogozhinën, duke qenë se me reformën që po ndërmerret në sektor, tashmë këto kompani janë bashkuar dhe do të operojnë si 1 e vetme.
Në fakt, sipas realcionit që shoqëroi vendimin e qeverisë për riorganizimin e sektorit, i zbardhur më herët nga TVSCAN, bashkimi I shoqërive të ujësjellësve do të pasohet me rishikimin e tarifave të ujit të pijshëm dhe largimit të ujërave të ndotur. Sipas relacionit 1 nga objektivët krysorë të reformës është pikërisht harmonizimi gradual i tarifave në zonën e shërbimit sipas ndarjeve territoriale të bashkive.
Riorganizimi i sektorit të ujësjlellës-kanalizimeve parashikon krijim e 15 Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta, nga 58 kompani që janë aktualisht, teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zotërojë 51% të aksioneve. Përveç Durrësit, Deri më tani janë nënhskruar marrëveshjet për Korçës, që ka në përbërje edhe Devollin, Ersekën, Maliqin dhe Pustecin, ndërsa Ujësjellësi i Pogradecit është bashkuar me Prrenjasin.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.