8.3 mld lekë nga taksa për prodhuesit e energjisë – Debatet/ Gënshtenja: Ju duhen para’ për zgjedhje, asnjë fjalë si do shpenzohet fondi
Qeveria planifikon të mbledhë 8.3 mld lekë nga taksa shtesë për prodhuesit e energjisë. Projektligji, që parashikon taksimin e të ardhurave të realizuara nga shitja e energjisë në tregun e liberalizuar u miratua mes debatesh në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, jo vetëm për shkak të përmbajtjes, por edhe futjes me urgjencë në kalendarin e diskutimit.
Paratë e mbledhura nga kjo taksë parashikohet të shkojnë për mbështetjen financiare për familjet dhe kompanitë e prekura nga rritja e çmimeve të energjisë. Por, deputetët e opozitës akuzuan qeverinë se gjithçka po bëhet për qëllime elektorale, për zgjedhjet vendore të 25 prillit.
Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, kontributi i solidaritetit do llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lekë/kWh. Ndërkohë që, gjysma e këtyre të ardhurave shtesë do të duhet të depozitohet në buxhetin e shtetit.
Propozim vjen në një kohë kur prodhuesit që shesin energji në tregun e liberalizuar kanë rritur fitimet, si pasojë e ritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë që, sipas qeverisë kjo taksë është një mjet i përshtatshëm për të trajtuar fitimet e tepërta, në rast rrethanash të paparashikuara.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.