9000 subjekte në “sitë” për ujrat e zeza – Brenda 3 muajsh, kush i derdh në det, liqen apo lumenj, të instalojë impiantet e trajtimit
Të gjithë subjektet që kryejnë aktivitete ekonomike në zonat bregdetare, si dhe në bregun e liqeneve dhe lumenjve, dhe shkarkojnë ujërat e ndotur në ujëra larës duhet të instalojnë impiantet e trajtimit dhe largimit të tyre brenda 3 muajsh.
Këtë detyrim do e kenë edhe ato subjekte, që i shkarkojnë ujrat e ndotur në gropa septike. Gjithçka përcaktohet në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria në fund të vitit që shkoi e që sapo është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Detyrimi përfshin të gjitha llojet e subjekteve, duke nisur nga strukturat akomoduese, agroturizmat, bujtinat, hotelet, komplekset turistike, baret, restorantet, etj. Ndërkohë që, sipas të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në total pranë ujrave larës janë 9000 subjekte.
Ndërkaq, për monitorimin, inspektimin dhe marrjen e masave, në zbatim të këtij akti normativ, me qëllim rregullimin e pasojave që vijnë nga mostrajtimi i ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse në zonat bregdetare, ose në bregun e liqeneve e të lumenjve, do të ngrihet një Task-Forcë, në varësi të titullarit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve.
Kjo task Forcë do të ketë edhe të drejtën për vendosjen e masave administrative, në rast të konstatimit të shkeljeve. Akti Normativ i ndan subjektet në 3 kategori, në varësi të popullsisë ekuivalente, ndërkohë që masa e gjobave varion sipas kategorisë që i përket subjekti.
Vlera e tyre është parashikuar nga 1.5 mln lekë, në 2.65 mln lekë. Nga zbatimi I këtij vendimi synohet një përmirësimi I cilësisë së ujrave larës, duke arritur klasifikimin “shkëlqyeshëm” në masën 95%, nga 67% që është aktualisht.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.