Jo më SME, gati ligji i ri për kompanitë – Vijnë në skenë NMVM-të, do kenë akses te garancitë sovrane dhe tregjet e kapitaleve
Tashmë nuk do ketë më kompani të vogla e të mesme, ose sicc jemmi mësuar t’i quajmë shkurt SME, por NMVM, ose më specifikisht: mikrondërmarrje: 0 deri 9 persona; ndërmarrje të vogla: 10 deri 49 persona; dhe ndërmarrje të mesme: 50 deri 249 persona.
Ndërkohë që ndryshimi më i rëndësishëm është aksesi financiar te garancitë sovrane apo mekanizmat e tjerë të mbështetjes nga shteti, të cilat deri tani ishin luks i korporatave. Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë javë Ligjin për Ndërmarrjet, Mikro, të Vogla dhe të Mesme.
NMVM-të tashmë do jenë tërësia e ndërmarrjeve në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. 2. Ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë.
Mikrondërmarrje konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Ndërmarrje e mesme konsiderohet një ndërmarrje me 50 persona të punësuar deri në 249 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor nga 50 milionë lekë deri në 250 milionë lekë.
Ato do mund të përfitojnë mbështetje shtetërore që përfshijnë kryesisht: mbështetje financiare nga buxheti i shtetit; mbështetje financiare nga partnerët për zhvillim vendës ose të huaj; garanci shtetërore të huas në përputhje me legjislacionin në fuqi për huamarrjen shtetërore.
Ato do të kenë akses edhe në shërbime të caktuara publike, ndërkohë që për financimin e tyre do krijohet edhe një fond buxhetor, që do përdoret për dhënien e granteve për NMVM-të, me qëllim zbatimin e programeve që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, artizanatit, zhvillimin e të mësuarit rreth ndërmarrjes, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja si rezultat i kërkim-zhvillimit, zhvillimin e aftësive të ndërmarrjes, inovacionin, rinovimin e teknologjisë, ndërkombëtarizimin e zhvillimin e NMVM-ve dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.