Euro vijon pranë nivelit të paritetit – Investitorët presin inflacionin në SHBA, parashikohet në 8.8%
Euro vijon të tregtohet pranë nivelit të paritetit përballë dollarit amerikan, edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që parashikohet të ketë vijuar tendencën në rritje. Monedha e përbashkët europiane ka humbur rreth 12% të vlerës gjatë këtij viti, për shkak të luftës në Ukrainë, që mund të shkaktojë një krizë energjetike në kontinent.
Ekonomistët vlerësojnë se inflacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë rritur në 8.8% me bazë vjetore, gjatë qershorit, që do të jetë niveli më i lartë në 40 vitet e fundit. Raporti mbi inflacionin do të jetë vendimtar në hapin e rritjes së interesave nga Rezerva Federale në takimin e këtij muaji.
Dobësimi i euros dhe jenit japonez ka bërë që indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan të prekë nivelin më të lartë në 2 dekadat e fundit prej rreth 108. Në fokus të tregjeve do të jetë edhe situata politike në Mbretërinë e Bashkuar, pasi 8 anëtarë të Partisë Konservatore janë në garë për të pasuar Boris Johnson. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur lehtë në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në rreth 19,500 dollarë. Ethereum po tregtohet në rreth 1060 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.