Liz Truss mbron planin e saj ekonomik – Pika kryesore, vendosja e kufirit për çmimin e gazit dhe energjisë
Përpara deputetëve në parlament, kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss, mbrojti planin e saj ekonomik për zbutjen e inflacionit, si dhe për të kufizuar rritjen e faturave të energjisë duke shpenzuar miliarda paund për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve.
Fatura e energjisë për familjet britanike do të kufizohet deri në 2500 paund në Angli, Skoci dhe Uells për dy vitet e ardhshme. Qeveria britanike pritet të marrë hua të paktën 100 miliard paund për të paguar këtë plan. Truss përjashtoi vendosjen e një takse shtesë mbi fitimet e firmave që prodhojnë energji, duke thënë se kjo do të pengonte investimet.
Aktualisht, kostoja vjetore mesatare e një familjeje britanike parashikohet të rritet nga 1.971 deri në 3.589 paund që nga muaji tetor, për t’u rritur deri në 6 mijë paund gjatë 2023-shit. Truss premtoi se do të mbështesë sipërmarrjet dhe familjet në pritje të një recesioni që do të nisë në fund të këtij viti.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.