Auditët zbardhin ku abuzojnë më shumë institucionet publike – 6 milionë dollarë dëm i konstatuar. Peshëm më të madhe tatimet, pronat, tenderat e koncesionet
133 njësitë e auditit në gjithë institucionet a administratës publike kanë zbuluar gjatë vitit të shkuar një vlerë dëmi ekonomik prej afërsisht 6 milionë dollarësh. SCAN Televizion disponon të dhënat e punës se Drejtorisë së Përgjithshme të Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar dhe Publik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila ka në varësi të gjitha njësitë e auditeve të brendshme të institucioneve publike. Bazuar në rezultatet e deklaruara në auditimet e kryera përgjatë vitit 2021 për 133 njësitë e auditit funksionale njësitë e auditimit me total 428 auditues është konstatuar dëm ekonomik në vlerën totale rreth 593,078,000 lekë, apo afërisht 6 milionë dollarë.
Rezulton se se dëmet me vlerë më të lartë janë në fushën e “Tatimeve/Taksave/ Doganave”, të cilat zënë 29% të vlerës totale të shkeljeve financiare të konstatuara, ose afërisht 1.7 milionë dollarë. Administrim prone, pasurie është fusha e dytë për nga radha për sa i përket dëmit të shkaktuar në arkën e shtetit, duke zënë 20% të totalit me vlerë afërisht 1.1 milionë dollarë. Tenderat, ose fusha prokurim, blerje & investime vijnë të tretat në radhë përsa i përket dëmit të konstatuar me vlerë afërisht 800 mijë dollarë ose 13% të totalit.
Shkeljet me paga, shpërblime, trajtime, komisione zënë 12% të totalit të dëmit të konstatuar me afërisht 700 mijë dollarë, të pasuara nga fusha Koncesione dhe ankande, përgjegjëse për 11% të totalit të dëmit me vlerë afërisht 650 mijë dollarë.
Numri total i gjetjeve në nivel sistemi nga njësitë e audtitimit në gjithë vendin rezulton 7660.
Gjithësesi dëmi i konstatuar nga njësitë audituese është shumë i ulët, ku bie në sy se 21 instutucione rezultojnë me zero shkelje. Në këtë listë gjendet institucione shumë të rëndësishme, si Ministria e Turzimit dhe Mjedisit, Universiteti i Mjekësisë, Bashkitë Divjakë, Kuçovë, Lezhë, disa spitale rajonalë, apo institucione të tjera ku perceptimi për shkelje financiare është shumë i lartë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.