INSTAT hap thirrjen për 7 mijë vende të lira pune – Censusi 2023, kërkohen kontrollorë, mbikqyrës e anketues. Paga 430-540 euro/muaj
Instituti i Statistikave ka hapur thirrjen për rekrutimin e më shumë se 7 mijë personave që do të angazhohen në procesin e realizimit të Censit të Popullsisë së Banesave 2023. Shpalljet janë publikuar në faqen zyrtare të Institutit të Statistikave, ku ftohen të aplikojnë për pozicionet e punës kontrollorë, mbikqyrës dhe anketues.
Referuar shpalljeve, janë 1048 vende të lira punë për kontrollorë dhe 108 për kontrollorë rezervë. Pagesa bruto për këtë pozicion është 430 euro / muaj.
Po ashtu, janë 170 pozicione të lira për mbikëqyrës për të cilat pagesa bruto është 540 euro/muaj. Ndërkohë, janë shpallur thirrjet edhe për 5240 anketues dhe 545 anketues rezervë për të cilët pagesa do të kryhet si punonjës mbështetes të administratës publike, klasa IV.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923.
Censi i Popullsisë dhe Banesave do të ofrojë të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.
Censi i Popullsisë dhe Banesave do të zhvillohet në Shtator 2023. Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë.
Vendet e lira të punës të shpallura nga INSTAT
Kontrollorë 1048
Kontrollorë rezervë 108
Mbikëqyrës 170
Anketues 5240
Anketues rezervë 545
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.