Rimëkëmbet kërkesa globale për energji – Situata kthehet në normalitet në vitin 2024
Një krizë e vazhdueshme energjetike dhe një rënie ekonomike pritet të ngadalësojnë rritjen e kërkesës globale për energji në vitin 2023, por një rikthim i mundshëm në vitin 2024 do të thotë që duhet të zhvillohen më shumë kapacitete të rinovueshme. Deklarata u bë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – IEA. Norma globale e rritjes për konsumin e energjisë është vendosur të ngadalësohet në pak më pak se 2% në 2023, nga 2.3% në 2022, e cila ishte gjithashtu në rënie nga mesatarja pesëvjeçare e para-COVID 19 prej 2.4%.
Për vitin 2024, norma pritet të rritet në 3.3%, pasi perspektiva ekonomike përmirësohet, sipas të dhënave të publikuara nga IEA.
Agjencia me bazë në Paris parashikoi se energjia e rinovueshme do të mbulojë rritjen e pritshme këtë vit dhe vitin e ardhshëm dhe energjia nga burimet e rinovueshme do të kalonte një të tretën e furnizimit total global të energjisë për herë të parë vitin e ardhshëm.
Megjithatë, hidrocentrali ka rënë rreth 2% në 2020-2022 krahasuar me shifrat 1990-2016, që përfaqëson rreth 240 teravat-orë, ose konsumin vjetor të Spanjës.
Më tej në raportin e saj IEA thekson se parashikimi i sfidave në hidrocentralet lidhur me ndryshimet klimatike dhe planifikimi në përputhje me rrethanat, do të jetë vendimtar për përdorimin efikas dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore.
Rritja e burimeve të rinovueshme duhet të ndihmojë në uljen e emetimeve globale, pasi rritja e emetimeve në Kinë dhe Indi pritet të kompensohet nga rënia në vendet e tjera ku shpërndarja e burimeve të rinovueshme po rritet dhe gazi natyror vazhdon të zëvendësojë qymyrin.
Vetëm Bashkimi Europian përbën 40% të rënies totale të emetimeve nga prodhimi i energjisë, treguan të dhënat e IEA.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.