Italia zvogëlon garancitë shtetërore – Vendi fokusohet në infrastrukturën bazë
Italia synon të zvogëlojë paketën aktuale të garancive shtetërore dhe të krijojë një skemë të re për të nxitur investimet private në infrastrukturën strategjike. Deklarata u bë nga ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti.
Masa është pjesë e përpjekjeve të Romës për të hequr gradualisht politikat ekspansioniste të miratuara që nga viti 2020 në vazhdën e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike të përkeqësuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska.
Më 31 dhjetor 2022, garancitë shtetërore arritën në 15.8% të produktit të brendshëm bruto të Italisë, pak më poshtë se 16.1% e vitit 2021. Giorgetti u shpreh se qeveria është duke punuar për një nismë sistematike që do të shënojë një ndryshim vendimtar në mënyrën se si financohen shpenzimet e investimeve në infrastrukturë.
Ai shtoi se garancitë shtetërore nuk duhet të përdoren më për të injektuar likuiditet masiv në sistemin ekonomik, siç bëri Italia gjatë pandemisë, por në vend të kësaj duhen financuar “ndërhyrje selektive”. Qeveria planifikon të krijojë edhe një fond garancie për mbrojtjen e të siguruarve, të financuar me kontribute nga grupet e sigurimeve.
Një fond i tillë do të “siguronte mbrojtjen e policave, veçanërisht në sektorin e sigurimeve të jetës, në mënyrë që të mbështesë besimin e tyre në treg dhe të kontribuojë në stabilitetin e sistemit financiar”, shtoi ministri.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.