Qeveria greke monitoron çmimet në supermarkete – Vendimi përfshin ushqimet bazë që do të mbahen nën kontroll
Supermarketet e mëdha në Greqi do të duhet të informojnë autoritetet për listat e çmimeve të furnizuesve të tyre për ushqimet bazë, në mënyrë që të mundësihet kontrolli për çmimet e këtyre produkteve.
Ministria e Zhvillimit theksoi se qeveria nuk ka ndërmend të fshihet pas statistikave, pasi askush nuk mund të jetë i lumtur kur ka familje që mezi përballojnë gjërat elementare. Gjithashtu sipas vendimit bëhet e qartë se zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve duhet të njoftojnë autoritetet për çmimet e vendosura nga furnitorët e tyre, gjë që vlen veçanërisht për frutat dhe perimet.
Objektivi kryesor mbetet rënia e përhershme dhe e dukshme e çmimeve dhe nxitja e konkurrencës, ndërkohë që është paralajmëruar se supermarketet që ofrojnë zbritje false do të duhet të paguajnë gjoba shumë të larta.
Inflacioni në Greqi, që arriti nivele rekord gjatë pandemisë, është qetësuar dhe në gusht ishte 3.5 %. Pavarësisht kësaj, çmimet e ushqimeve u rritën me 10.8 % nga viti në vit në gusht dhe shumë familje kanë probleme me furnizimet bazë.
Duke filluar nga muaji shkurt i këtij viti, qeveria greke ofroi një ndihmë mujore për personat me të ardhura të ulëta për t’i ndihmuar ata me shpenzimet bazë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.