Nafta tregtohet pranë 76 USD – COP28 dështon të vendosë një datë për t’u larguar nga lëndët fosile
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, në pritje të politikave monetare të bankave qendrore dhe të inflacionit në SHBA. Megjithatë, tregu po karakterizohet nga dyshimet se ulja e prodhimit nga OPEC+ vitin e ardhshëm do të eklipsohet nga mbifurnizimi i tregut dhe nga kërkesa e dobët. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71 dollarë për fuçi.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë, që së bashku njihen si OPEC+, janë zotuar të ulin prodhimin me 2.2 milionë fuçi në ditë, në tremujorin e parë të vitit 2024.
Por investitorët mbeten skeptikë se oferta totale do të bjerë, pasi pritet rritje e prodhimit në vendet jo anëtare të OPEC, për ta çuar tregun në suficit vitin e ardhshëm. Si nafta bruto ashtu edhe nafta Brent janë në një strukturë tregu “kontango”, që ndodh kur kontratat afatshkurtra janë më pak në numër se kontratat e mëvonshme. Kjo tregon se investitorët mendojnë se ka kërkesë më të ulët për naftë bruto për muajt e ardhshëm.
Ndër zhvillimet e tjera, një draft i një marrëveshjeje të mundshme klimatike në samitin COP28, sugjeroi masat që vendet duhet të marrin për të ulur emetimet e gazrave serrë, por nuk përcaktoi një fazë për largimin nga lëndët djegëse fosile që kanë kërkuar shumë vende.
Ky draft mori kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe nga vendet që cenohen nga klima. Një koalicion prej më shumë se 100 vendesh kishte kërkuar një marrëveshje që do të premtonte për herë të parë një fund të epokës së naftës, por përballet me kundërshtimin nga anëtarët e OPEC. Përveç negociatave në COP28, tregu po vëzhgon gjithashtu politikat e normave të interesit të bankave qendrore kryesore, si dhe të dhënat mbi inflacionin në SHBA.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.