Hakerat vjedhin të dhënat e amerikanëve – Siguruesi më i madh shëndetësor në SHBA përpiqet të frenojë dëmin
UnitedHealth Group në SHBA, konfirmoi se hakerët kanë vjedhur të dhënat shëndetësore dhe personale të një proporcioni të konsiderueshëm të amerikanëve nga sistemet e tij në muajin shkurt. Ndërkohë siguruesi më i madh shëndetësor në SHBA përpiqet të frenojë dëmin.
Ndërhyrja në njësinë e saj ‘Change Healthcare’, e cila përpunon rreth 50% të të dhënave mjekësore në SHBA, ishte një nga sulmet më të këqija që goditi kujdesin shëndetësor amerikan dhe shkaktoi ndërprerje në pagesat për mjekët dhe institucionet shëndetësore.
Zbulimi sugjeron se informacioni i kujdesit shëndetësor të pacientëve mbetet i cenueshëm. Një rishikim fillestar i të dhënave të komprometuara tregoi skedarë me informacione të mbrojtura shëndetësore ose informacione të identifikueshme personalisht, të cilat mund të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të njerëzve në SHBA. Kjo vjedhje, më 21 shkurt, ndodhi pavarësisht pagesës së shpërblimit të kërkuar nga hakerat.
Hakerët zakonisht kërkojnë të dhëna të ndjeshme si të dhënat e pacientëve, historitë mjekësore ose planet e trajtimit për t’u përdorur në akte të mëtejshme kriminale ose kërkesa për shpërblim.
Ndërsa një analizë e plotë e të dhënave të vjedhura do të zgjaste disa muaj, nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se listat e mjekëve ose historitë e plota mjekësore të individëve janë vjedhur, tha UnitedHealth.
Andrew Witty, CEO i UnitedHealth, u shpreh se ishte i vetëdijshëm se ky sulm ka shkaktuar shqetësim dhe ka qenë shkatërrues për konsumatorët dhe ofruesit. Ai premtoi se kompania mbetet e përkushtuar të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar dhe për të ofruar mbështetje për këdo që mund të ketë nevojë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.