Bizneset i paraprijnë sezonit, rrisin blerjen e produkteve të plazhit – Nga cilët shtete importohen çadrat e diellit, apo varkat?
Në 3 muajt e parë të vitit, Shqipëria ka numëruar 1,7 milionë turistë, një shifër rekord kjo që paralajmëron mundësinë që këtë vit vendi të shënojë një rekord të ri. Pritshmëritë janë që këtë vit numri i turistëve të arrijë në 14 milionë.
Por ndërsa numërohen këto shifra në muajt e parë të vitit, bizneset duket se po nxitojnë të përgatiten për sezonin e ri veror. Ndryshe nga vitet e mëparshme, të dhënat e tregtsië së jashtme tregojnë një rritje të fortë të blerjeve të artikujve që nevojiten për sezonin veror. Zakonisht, piku ka qenë në muajin maj, por këtë vit tendenca rritëse e importeve konstatohet që në muajin mars.
“Scan Intel’’ ka analizuar të dhënat e tregtisë së jashtme duke u ndaluar në disa prej artikujve kryesore që importohen për sezonin veror si çadra dielli, prodhime kashte apo anije të vogla e varka.
Rezulton se në muajin mars ka një rritje të importeve të artikujve të sezonit turistik si në peshë ashtu edhe në vlerë. Konkretisht, në terma vjetorë gjatë këtij muaji sasia e importuar e prodhimeve të kashtës u rrit me 3% si dhe vlera e tyre arriti në 8.7 milionë lekë nga 8.4 milionë lekë që ishte vitin e kaluar. Po ashtu paraqiten me rritje edhe importet e çadrave të diellit ku në muajin mars të këtij viti importuam 42% më shumë çadra dielli, vlera e të cilave arriti në 29 milionë lekë, dyfish më shumë se vitin e kaluar.
Nga ana tjetër, zhvillimi i turizmit po nxit edhe shërbimet e lundrimit me varka dhe anije të vogla, të cilat po bëhen të zakonshme në turizmin detar dhe liqenor. Të dhënat tregojnë se sasitë e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit shënuan rritje me 31% në mars të vitit 2024 dhe vlera totale e importit të këtyre artikujve arriti në afro 88.5 milionë lekë.
Por me cilët partnerë europianë po bashkëpunon Shqipëria për të siguruar kushtet e nevojshme të çeljes së sezonit turistik? Sipas të dhënave vendi ynë ka rritur importet e çadrave nga Italia, Hollanda, dhe Mbretëria e Bashkuar. Përkatësisht rritja e sasisë së importeve të çadrave të diellit nga Hollanda përllogaritet 10,350%, nga Italia 5,647%, dhe nga Mbretëria e Bashkuar 900%. Ndërsa vlera e çadrave të diellit të importuara nga këto vende ishte përkatësisht 1.7 milionë lekë me Italinë, 137,500 lekë me Hollandën dhe 42,800 lekë me Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë që importet paraqiten në rënie me Kinën, Turqinë dhe Greqinë.
Nga ana tjetër, ka importuar anije dhe varka kryesisht nga Italia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anijet e vogla dhe varkat e importuara nga Italia kushtuan 47.9 milionë lekë, nga Greqia 22.2 milionë lekë dhe nga Meksika 8 milionë lekë.
Duhet theksuar që për anijet dhe varkat Shqipëria në muajin mars të këtij viti nisi marrëdhënien e tregtimit me partnerë të rinj si Franca dhe Gjermania, rikujtojmë se vitin e kaluar vendi ynë nuk ka patur importe të këtyre artikujve nga këto shtete.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.