Rama: Shqipëria dhe Greqia, dakordësim për aksesin në tregun europian të enërgjisë. Në 2030, fitojmë pavarësinë energjetike
Shqipëria dhe Greqia janë dakordësuar për aksesin në tregun e integruar europian të energjisë. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur para komunitetit shqiptar në Athinë.
“Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të dy shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë.
Sot punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV Fier – Arachtos një projekt me rendësi strategjike për të dyja shtetet i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet” tha kryeministri.
Shqipëria 2030, sipas kryeministrit, do të ketë fituar pavarësinë e vet të plotë energjetike dhe do të jetë eksportuese neto e energjisë.
“Kjo do të thotë se asnjë qindarkë më nga taksat e shqiptarëve nuk do të shpenzohet për të blerë energji jashtë, por përkundrazi, më shumë para do të hyjnë në buxhetin e Shqipërisë edhe nga shitja e energjisë së prodhuar në vend” tha Rama.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.