Të huajt shpenzuan 45 mln euro për prodhimet shqiptare – Rritet me 25% sasia e produkteve në tregjet ndërkombëtare në Korrik
Elisabeta Dosku/ SCAN
Në supermarketet botërore po rritet ndjeshëm prezenca e produkteve bujqësore “Made in Albania”. Eksportet e produkteve bujqësore “Made in Albania” janë rritur me 25 % përgjatë muajit Korrik 2024 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, muaj i cili prek edhe kulmin e prodhimit duke marrë parasysh kushtet klimatike të vendit tonë.
Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, përgjatë muajit Korrik janë eksportuar në total 58.113 ton produkte, nga 46.468 ton që u tregtuan në Korrik 2023, me një kapërcim prej 11.645 ton.
E përkthyer në vlerë monetare, vetëm përgjatë muajit korrik, konsumatorët evropianë por jo vetëm, pasi harta e eksporteve është shumë e gjerë, kanë konsumuar 4.5 miliardë lekë apo rreth 45 milionë euro prodhime të tokës shqiptare të cilat kanë kaluar të gjitha filtrat e cilësisë sipas rregullave dhe kritereve të vendosura nga tregjet ndërkombëtare.
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, nxjerrin në pah se në dy muajt kryesorë të sezonit Qershor-Korrik 2024, në total janë eksportuar 188 644 ton produkte bujqësore, ku më i mbarë në këtë drejtim ka qenë muaji Qershor.
Në totalin e eksporteve ato që udhëheqin dhe që kanë kërkesën më të lartë nga konsumatorët e huaj janë fruta-perimet e freskëta shqiptare. Viti 2023 u mbyll me një shifër totale eksportesh në vlerën e 55.7 miliard lekëve, duke shënuar një rritje me 7.7% gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022.
Objektivi i qeverisë është që përmes politikave mbështetëse për fermerët në drejtim të prodhimit, cilësisë dhe certifikimit, të arrihet në nivelin e 1 miliardë dollarë eksporte deri në vitin 2030.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.