Akullore nga Franca me substanca të rrezikshme? – Reagon AKU: Kemi asgjësuar të gjithë sasinë e produktit
Elisabeta Dosku/ SCAN
Auoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar lidhur me lajmin mbi importin e produktit akullore nga Franca me prani të oksid etileni. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton lidhur me masat e marra në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve lidhur me këtë situatë.
Sipas deklaratës së AKU-së, më datë 30.07.2021 ora 11:49 ky institucion është informuar nga sistemi RASFF se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante “Substancën e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores.
AKU thekson se “me marrjen e njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kryen verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe kreu inspektimin në këto Operatorë të Biznesit Ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij”.
Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021) .
“Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti. Nga ana e AKU është bërë njoftimi për konsumatorin për produktet e përcaktuara në Lot-e respektive, për moskonsumim dhe kthim mbrapsht në pikat e shitjes ku e kishin blerë” shpjegon AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.
Një ditë më parë, Kreu i KLSH Arben Shehu, u shpreh në komisionin parlamentar të ekonomisë se në vendin tonë janë importuar 13 ton akullore nga Franca me përmbajtje oksid etileni.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.