Venecia fitoi mbi 2 milion euro nga tarifa e hyrjes – Për 2 muaj qyteti italian mblodhi shumën rekord
Dorina Kurtaj / SCAN
Venecia i ka dhënë fund një programi pilot që detyronte turistët të paguanin për të hyrë në qendrën historike të qytetit. Aktualisht qyteti italian është më i pasur me më shumë se dy milionë euro dhe i vendosur për të rritur çmimin e taksës me 100 % në të ardhmen. Por kritikët e quajnë idenë si një eksperiment të dështuar
Gjatë 11 ditëve të para të periudhës së provës, qyteti regjistroi mesatarisht 75.000 vizitorë. Autoritetet thonë se kjo është 10.000 më shumë se në të njëjtën periudhë në 2023-shin, duke përmendur shifrat e ofruara nga qyteti bazuar në të dhënat e gjurmimit të celularëve të njerëzve që vizitojnë qytetin.
Venecia prezantoi një taksë për udhëtime ditore këtë vit për 29 ditë, kryesisht në fundjavë dhe festa, nga 25 prilli deri në mes të korrikut. Projekti, i cili u vonua për shkak të pandemisë, u njoftua nga vendet anëtare të UNESCO-s kur vendosën kundër një rekomandimi për ta vendosur qytetin në listën e trashëgimisë botërore të rrezikuar.
Në dy muajt e fundit, gati 438 mijë turistë kanë paguar taksën, e cila ka sjellë të ardhura prej rreth 2.19 milionë euro. Zyrtarët thanë se paratë do të përdoren për shërbimet bazë, të cilat kushtojnë më shumë në një qytet të rrethuar nga kanali, duke përfshirë heqjen e plehrave dhe mirëmbajtjen.
Vendimi nuk zbatohej për personat që qëndrojnë në hotele në Venecia, të cilët tashmë janë të ngarkuar me një taksë turistike. Përjashtimet aplikoheshin edhe për fëmijët nën 14 vjeç, banorët e rajonit, studentët, punëtorët dhe njerëzit që vizitojnë të afërmit, ndër të tjera.
Zyrtari më i lartë i turizmit në qytet, ka bërë me dije se taksa do të vazhdojë dhe do të rritet. Një propozim për të dyfishuar tarifën në 10 euro është duke u shqyrtuar për vitin e ardhshëm. Zyrtarët premtuan edhe gjoba të mëdha për ata që përpiqen të shmangin pagesën, por në fund nuk u vendos asnjë.
Kritikët e këtij plani thonë se projekti nuk ka arritur ta bëjë qytetin më të jetueshëm për banorët vendas, siç ishte planifikuar. Ata gjithashtu duan kufizime në qiratë afatshkurtra. Tani ka më shumë shtretër turistikë në qendrën historike se sa banorë zyrtarë, numri i të cilëve është një rekord prej 50.000.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.