Ankimohet sërish tenderi për platformën e shit-blerjes së energjisë – “KESH nuk ka zbatuar vendimin e KPP për kriteret, vonesat po dëmtojnë interesat publikë”
Tenderi për ngritjen e platformës për shit-blerjen e energjisë është pezulluar sërish. Shkak është bërë ankesa e kompanisë Communication Progress pranë Komisionit të Prokurimit Publik, që pretendon se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk ka zbatuar vendimin për rishikimin e kritereve që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë të interesuar.
KESH hapi tenderin fillestar në datën 25 shkurt, por procedura u anulua, pasi KPP konstatoi se në dokumentet e tenderit Korporata kishte përcaktuar deri në detaje specifikimet teknike dhe funksionet e firewall-it të aplikacionit të web-it (WAF) që shërben për sigurinë e sistemit, duke i kufizuar maksimalisht zgjidhjet e mundshme që mund të ofrohen nga operatorët ekonomikë të interesuar.
Në vendim kërkohej rishpallja e procedurës, duke hartuar specifikimet teknike që lejojnë zgjidhje të ndryshme dhe që hapin maksimalisht konkurrencën. Por, sipas kompanisë që ka depozituar ankesën, specifikimet teknike janë të njëjta me procedurën e mëparshme, me disa elementë të shtuar. “Në këto specifikime përveç përmirësimit të nivelit të përkthimit, nuk është reflektuar asnjë nga vendimet mbi modifikimin e specifikimeve teknike të dhëna nga Komisioni i Prokurimit Publik”,-thuhet ndër të tjera në ankesë.
Po ashtu, kompania evidenton se vonesat në finalizimin e kësja procedure, po dëmtojnë interesat publike dhe bien në kundërshtim me vetë njoftimin e shkurtuar të kontratës mbi nevojat e autoritetit kontraktor. Sipas këtij njoftimi, KESH kërkonte ngritjen sa më të shpejtë të platformës, pasi për shkak të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ku prioritet ka sigurimi i energjisë elektrike me kosto sa më të ulët, është e nevojshme që procesi i blerjes së energjisë elektrike të bëhet me sistem elektronik.
“Kjo me qëllim kapjen në kohë më të shpejtë të sinjaleve të tregut të energjisë elektrike si dhe rrjedhimisht uljen e kostove për blerje energjie elektrike”,-argumentonte KESH. Fondi limit i vënë në dispozicion në tenderin e rihapur nga KESH është 198 mln lekë, apo 43 mln lekë më shumë se procedura fillestare e shpallur në muajin shkurt.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.