Asgjë nuk e ndal fluksin e turistëve në Europë – Këtë vit do shpenzohet shuma rekord prej 800 miliard eurosh
Dorina Kurtaj /SCAN
Valët e të nxehtit, hotelet e shtrenjta dhe mbipopullim në rrugë, restorante dhe dyqane të qyteteve. Asgjë nuk po dekurajon turistët, siç e dëshmon edhe sezoni turistik i këtij viti në Greqi, pasi me gjithë temperaturat ekstreme, valët e të nxehtit dhe zjarret, vendi nuk duket se e humb shkëlqimin e tij në sytë e turistëve nga e gjithe bota. Dhe në përgjithësi për momentin asgjë nuk duket se po e ndal dëshirën e udhëtarëve për pushime verore dhe turizmi mbetet një burim i madh të ardhurash për vendet e Europës.
Sipas një raporti të Komisionit Europian të Udhëtimit për shpenzimet turistike dhe tendencat e udhëtimit, gjithçka tregon se kërkesa për udhëtime në Kontinentin e Vjetër vazhdon të rritet. Këtë vit, turistët nga e gjithë bota pritet të shpenzojnë një rekord prej 800 miliardë eurosh për pushimet e tyre në Europë.
Domethënë janë rritur me 37% krahasuar me kostot përkatëse para pandemisë, të cilat sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Turizmit ishin në rangun e 583 miliardë eurove në vit.
Për më tepër, ardhjet nga vendet jashtë Europës janë rritur me 6% këtë vit krahasuar me vitin e kaluar para pandemisë, duke vendosur një tjetër rekord për Europën. Dhe arsyeja është, natyrisht, se si rregull, turistët zgjedhin vendet me verë të nxehtë dhe çmime të përballueshme, pra ato që mund të gjejnë në shumë pjesë të Europës Jugore.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, destinacionet turistike në vendet e veriut europian kanë filluar të fitojnë një pjesë në rritje të tregut, pasi gjithnjë e më shumë udhëtarë zgjedhin të bëjnë pushime në zona me klimë më të butë dhe më pak njerëz dhe shpesh i planifikojnë ato gjatë gjysmën e parë të vitit. Si rezultat, ka një rritje të ndjeshme të turistëve në vendet nordike, ku Danimarka regjistron një rritje prej 38% në qëndrimet e natës, Norvegjia 18% dhe Suedia 9%, të gjitha krahasuar me vitin 2019.
Në të njëjtën kohë, interesi i udhëtarëve për vendet më pak të njohura për atraksionet e tyre, por që megjithatë ndodhen në jug më të gjerë europian është në rritje. Mbërritjet në Kroaci dhe Maltë, për shembull, janë rritur përkatësisht me 7.6% dhe 37%, ndërsa pjesa e Shqipërisë e ardhjeve të turistëve është rritur me 86% krahasuar me 2019-ën.
Në fund të fundit, po rritet edhe popullariteti i destinacioneve turistike që ofrojnë kurse këmbimi të favorshme për vizitorët nga vendet me monedha më të forta.
Mes tyre Bullgaria, e cila shënoi rritje të turistëve prej 29%, Serbia me 40%, por edhe Turqia me 22%. Ata që kryesojnë bumin e turizmit të këtij viti në Europë janë amerikanët, pasi sipas raportit në fjalë, 72% e shpenzimeve të tyre për turizmin do të përfundojnë në destinacionet në Europë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.