Australia sfidon Kinën me minierat e nxjerrjes së mineraleve të rrallë nga toka!
Në pluhurin e kuq të Australisë qendrore, firma minerare Arafura po planifikon të ndërtojë një minierë dhe një strukturë përpunimi për elementët shumë të kërkuar. E vendosur 80 milje në veri të Alice Springs, Projekti Nolans do të jetë në një nga pjesët më të nxehta dhe më të thata të vendit.
Pavarësisht kushteve ekstreme, Arafura beson se investimi do t’ia vlejë. Miniera e planifikuar dhe impianti i përpunimit mund të plotësojë deri në 5% të kërkesës globale për neodymium dhe praseodymium (NdPr), të cilat përdoren në magnet me fuqi të lartë.
Ata janë dy nga një grup i të ashtuquajturve elementë të rrallë të tokës, që janë thelbësorë për industrinë e elektronikës. NdPr, europiumi, terbiumi dhe metale të tjera të rralla të tokës që dikur mezi dëgjoheshin, tani janë të zakonshme në prodhimin e ekraneve me prekje të telefonave, turbinave me erë dhe teknologjive të tjera moderne.
Minierat e këtyre mineraleve janë një industri e dominuar aktualisht nga Kina, por forcat gjeopolitike dhe tregtare janë në punë që mund të riformësojnë tregun ndërkombëtar.
Australia, një superfuqi eksportuese e mineralit të hekurit dhe qymyrit me tradita të pasura minerare, beson se është në vendin e duhur për t’u bashkuar me garën për të shfrytëzuar mineralet që ofrojnë pjesë kritike për automjetet elektrike dhe turbinat e erës.
Tokat e rralla janë një koleksion prej më shumë se një duzinë elementesh në tabelën periodike. Ato nuk janë veçanërisht të rralla, por në fakt janë mjaft të shumta në koren e Tokës.
Geoscience Australia, një agjenci kërkimore qeveritare, thotë se ato kanë aplikime të gjera industriale, mjekësore, shtëpiake dhe strategjike për shkak të vetive të tyre unike katalitike, bërthamore, elektrike, magnetike dhe lumineshente.
Ato përdoren në magnet dhe super magnet, motorë, lidhje metalike, pajisje elektronike dhe kompjuterike, bateri, konvertues katalitikë, rafinim të naftës, imazhe mjekësore dhe lazer. Europiumi gjendet në ndriçimin fluoreshent, gadolinium në shufrat e energjisë bërthamore dhe yterbium në panelet diellore.
Në një kohë lufte dhe kërcënimi, metalet e vlefshme kanë vlerë strategjike dhe përdoren në avionë luftarakë, raketa të drejtuara dhe drone së bashku me pajisje të tjera të teknologjisë së lartë për eksplorimin e hapësirës.
Firma australiane Lynas Rare Earths është kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar një objekt përpunimi shumë milionë dollarësh në SHBA në një përpjekje për të reduktuar varësinë e saj nga Kina për minerale strategjike.
Lynas është i vetmi prodhues i rëndësishëm i tokës së rrallë në botë jashtë Kinës dhe drejton minierën Mount Weld në Australinë Perëndimore.
Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm, paralajmëroi kohët e fundit në një konferencë në Sidnei se Kina ishte “me këmbë të mëdha” mbi teknologjinë e energjisë së rinovueshme dhe zinxhirët e furnizimit.
Kontrolli i Pekinit për furnizimin me tokat e rralla është dokumentuar nga Instituti Australian i Politikave Strategjike (Aspi), një institut i pavarur mendimi me bazë në Canberra.
Ai vuri në dukje se si mineralet janë bërë armë diplomacie pas një përplasjeje të vitit 2010 midis një peshkatari kinez dhe anijeve patrulluese japoneze pranë një zinxhiri të diskutueshëm ishujsh. Pekini u ankua për “përgjimin e paligjshëm” të peshkatarëve të tij dhe u hakmor.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.