Austria “vrapon” të prodhojë vetë energjinë – Vendi importon zakonisht 80% të gazit nga Rusia

Austria importon zakonisht 80% të gazit të saj nga Rusia. Përballë rrezikut të ndërprerjes së furnizimeve, gjithnjë e më shumë vende marrin në dorë situatën duke prodhuar vetë energjinë e tyre. Në Vienë, në catitë e ballkonet e banesave, panelet diellorë po shfaqen si kërpudha.
Tashmë në vend po qarkullon një moto: Energjia që përdor është e jotja, ajo që tepron është e kolektivit.
Pensionistët janë të parët që shpresojnë të kursejnë, pasi panelet që po instalohen aktualisht kushtojnë 1800 euro. Familjet do të përdorin energjinë që do të prodhojnë dhe ajo që do të teprojë do të kalojë falas në rrjetin elektrik të kryeqytetit austriak.
Që nga viti i kaluar në kryeqytetin austriak, numri i impianteve diellorë është tetë fishuar. Sipas të dhënave vendosja e tyre synon të mbulojë deri në 1/3 e kërkesës për energji elektrike të familjeve vieneze.
Ata që punojnë nga shtëpia me anë të paneleve diellorë do të mund të përdorin energjinë e prodhuar për kompjuterin dhe kondicionerin. Por nëse askush nuk ndodhet në shtëpi për ta konsumuar atë energji, atëherë do i shkojë rrjetit elektrik. Ndërsa ata që duan ta mbajnë për vete të gjithë energjinë e prodhuar duhet të blejnë bateri për ta magazinuar atë. Por cmimet e larta të tyre dekurajojnë shumë njerëz që të zgjedhin këtë mënyrë. Ndërsa kërkesa për panele diellore shënon rritje të vazhdueshme.
Dorina Murtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.