“Beteja” e Europës me inflacionin – Konsumatorët përballen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve
Beteja e Europës me inflacionin në rritje vazhdoi gjatë gjithë muajit gusht, me konsumatorët në të gjithë kontinentin që po përballen me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave në Spanjë, inflacioni në vend u zbut pak nga niveli më i lartë i arritur në 38 vitet e fundit prej 10.% nga vitu në vit në muajin korrik, dhe në 10.5% në gusht. Por kjo rënie e vogël prej 0.3% nuk ka gjasa të sjellë shumë lehtësim për konsumatorët që vijojnë të përballen me rritjen e vazhdueshme të çmimeve.
Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkolike u rritën me 13.8%, duke ushtruar presion të madh ndaj fuqisë blerëse në Spanjë.
Të dhënat e publikuara nga zyra federale e statistikave gjermane, Destatis, treguan se norma vjetore e inflacionit në Gjermani u rrit në 7.9% në muajin gusht, me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Norma e inflacionit në vend është pasojë e situatës në Ukrainë dhe që nga muaji mars ka qenë mbi nivelin e 7%. Në muajin korrik çmimi i gazit natyror u rrit 83.3% në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, ndërsa çmimi i karburantit u rrit me 16.5%. Normat e inflacionit ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten dhe mund të arrijnë dhe në nivelin e 10%. Kjo pasi qeveria ndaloi subvencionimin e biletave të transportit publik në fund të muajit gusht.
Gjermanët shpenzuan mesatarisht 15.7% më shumë për ushqime dhe pije joalkolike në krahasim me një vit më parë, me mishin dhe produktet e mishit që shënuan rritjen më të madhe të çmimeve prej 18.6%.
Indeksi i çmimeve të konsumit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin gusht u rrit me 8.3%, me rritjen nga viti në vit që mbeti në nivelin më të lartë prej pothuajse katër dekadash.
Indeksi i çmimeve të konsumit për produktet bazë, që përjashton sektorët më të paqëndrueshëm të ushqimit dhe energjisë, pa një rritje prej 0.6% nga korriku, duke treguar se inflacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kapërceu parashikimet. Analistët thanë se rënia e çmimeve të energjisë, veçanërisht çmimi i benzinës, ishte një faktor i rëndësishëm që zvarriti Indeksin e çmimeve të konsumit në gusht. Çmimet e makinave të përdorura, hoteleve dhe biletave të fluturimit u ulën në gusht. Rezerva Federale është planifikuar të mbajë një takim për politikën monetare më 21 shtator.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.