Borxhi publik, shqetësim garancitë sovrane dhe normat e interesit – Strategjia 2022-2026: Risk i ulët nga kursi i këmbimit për shkak të rënies së euros

Ndërsa po përjeton një situatë të shkëlqyer me borxhin e jashtëm, të paktën në terma afatmesme, Qeverisë do i duhet të shqetësohet për elementë të tjerë rreziku ndaj huasë publike, siç është rreziku nga garancitë shtetërore, të dhëna me shumicë vitet e fundit, por edhe normat e interest të sistemit bankar.
Këshilli i Ministrave ka miratuar më 29 korrik Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit për periudhën 2022-2026, ku janë pikërisht këto dy faktorë që evidentohen si risqet kryesore të borxhit publik për katër vitet e ardhshme.
Qeveria pret rritje afatgjatë të normave të interesit në treg, gjë që sipas saj do të kërcënonte qëndrueshmërinë fiskale, duke sjellë për rrjedhojë rritjen e borxhit. Për këtë qëllim Qeveria përcakton në Strategji nevojën për uljen e peshës së titujve afatshkurtër si dhe mbajtja nën kontroll e titujve me norma interesi të ndryshueshme.
Ndërkohë që vëmendje të vecantë në strategji i kushtohet garancive shtetërore. Për periudhën afatmesme Qeveria kërkon që ato të vihen nën kontroll, dhe të ulen nën kuotën prej 5% të totalit të borxhit të qeverisjes qendrore.
Shkak për të cilin Këshilli i Ministrave ka vendosur një seri kriteresh në miratimin e tyre në terma afatmesme. Në strategji përcaktohet se ato do miratohen vetëm në katër raste: së pari në favor të kompanive shtetërore që ndërmarrin iniciativa reformuese me impakt në përmirësimin e situatës së tyre financiare. Së dyti për financimin e projekteve të investimit.
Së treti në raste kur shfaqen kriza financiare, dhe së katërti, kur bëhet fjalë për ristrukturimin e vetë garancive shtetërore.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.