BQE dhe “izolimi krizës” forcojnë euron – Bankat dhe autoritetet në SHBA, 30 miliard USD për First Republic Bank

Dollari amerikan po qëndron në rënie në sesionin e fundit të javës, pasi oreksi i investitorëve për asete me risk është përmirësuar, si pasojë e ndërhyrjes së autoriteteve dhe bankave për të izoluar problemet që shfaqen disa banka në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Bankat më të mëdha në SHBA injektuan rreth 30 miliardë dollarë në depozita pranë First Republic Bank, për ta shpëtuar këtë huadhënës, i cili u përfshi në krizën e panikut të shkaktuar nga kolapsi i dy bankave të mesme javën e kaluar.
Paketa e shpëtimit prej 30 miliardë dollarë, e krijuar nga Thesari amerikan, Rezerva Federale dhe bankat, pasoi njoftimin e Credit Suisse më herët të enjten se do të merrte hua deri në 54 miliardë dollarë nga Banka Kombëtare e Zvicrës. Njëkohësisht, edhe Banka Qendrore Europiane siguroi investitorët se bankat në Eurozonë janë elastike ndaj ndonjë krize të mundshme.
Gjithashtu, BQE njoftoi rritjen e normës bazë të interesit me 50 pikë bazë, në totalin e 3%, për të luftuar inflacionin e lartë që për shkurtin rezultoi në 8.5%. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur ndjeshëm dhe po tregtohet në mbi 26 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1720 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.