Bullgaria në kërkim të gazit – Qeveria hap tre tendera për sigurimin e rezervave të mjaftueshme
Kompania shtetërore e gazit në Bullgari, Bulgargaz, ka hapur tre tendera për gazin natyror të lëngshëm për të shmangur reduktimet gjatë dimrit dhe për të pasur një situatë të sigurtë afatgjatë.
Vendi ballkanik ishte pothuajse totalisht i varur nga gazi rus para se Moska të ndërpriste furnizimet në muajin gusht, dhe tashmë ka vështirësi për të siguruar rezerva të mjaftueshme me cmime të përballueshme për bizneset në shtetin anëtar më të varfër të Bashkimit Europian.
Ekzekutivi në detyrë që mori drejtimin e vendit në gusht pas rrëzimit të koalicionit të drejtuar nga reformatori Kiril Petkov, i cili refuzoi të paguante për gazin rus në rubla, i ka kërkuar Gazprom që të marrë në konsideratë rifillimin e furnizimit me gaz të Bullgarisë.
Gjithashtu vendi është në bisedime dhe me Azerbajxhanin për të pasur furnizim të mjaftueshëm gjatë dimrit. Bullgaria gjithashtu po merr në konsideratë hapjen e tenderave për furnizim me gaz nga vendi fqinj Turqia.
Ministri në detyrë i energjisë, Hristov, u shpreh se askujt nuk do i mbyllet dera, duke shtuar se Bullgaria synon të blejë 130 deri në 150% të gazit të kërkuar në rast se një nga furnizuesit do të dështonte ta dërgonte. Ai sqaroi se Bulgargaz i ka paraqitur kërkesën Gazprom, por nuk ka pasur ende një përgjigje.
Bullgaria po ushtron presion për zbatimin e kontratës ekzistuese me Gazprom, në një kohë që gazi i ofruar nga Moska është me cmim më të lirë se variantet e tjera në treg, në mënyrë që të krijohen rezervat e duhura deri në fund të vitit 2022.
Bullgaria i ka kërkuar Gazprom që të dërgojë sasinë që duhet sipas kontratës ekzistuese deri në fund të sezonit, pranverën e ardhshme.
Bulgargaz do të hapë një tender për gaz të lëngshëm natyror për dy muajt e fundit të vitit. Kompania do të kërkojë 142 milion metra kub gaz për nëntorin, dhe 190 të tjera për muajin dhjetor.
Gjithashtu do të kërkohen oferta për furnizim me gaz të lëngshëm natyror për vitin 2023 për një total prej 1.5 miliard metra kub gaz dhe do të nisë një proces 6 mujor për furnizim me gaz të lëngshëm prej 1 miliard metra kub në vit për periudhën 2024 – 2034.
Bullgaria konsumon rreth 3 miliard metra kub gaz në vit, dhe merr 1 miliard metra kub gaz në vit nga Azerbajxhani sipas një kontrate afatgjatë të nënshkruar mes palëve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.