Bursat europiane, në rënie të lehtë – Investitorët presin të dhënat mbi punësimin në SHBA
Bursat europiane po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, duke mbyllur një javë shumë të paqëndrueshme. Investitorët po presin të dhënat mbi punësimin në SHBA për shtatorin, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie të lehtë me 0.2%, ndërsa sektori i teknologjisë realizon humbjet më të mëdha me rreth 1.5%.
Analistët parashikojnë se ekonomia amerikane do të ketë krijuar mes 250,000 dhe 275,000 vende të reja punë gjatë shtatorit, ndërsa norma totale e papunësisë do të mbetet e pandryshuar në 3.7%.
Edhe tregjet në rajonin e Azi-Paqësorit dhe në SHBA u mbyllën në rënie të lehtë në sesionin e fundit të javës. Referuar të dhënave të tjera, prodhimi industrial në Gjermani ra më tej gjatë gushtit, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë. Prodhimi industrial ra me 0.8%, kundrejt parashikimeve të analistëve për një rënie me 0.5%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.