Bypass Sarandë, hapet tenderi për projektimin – ARRSH: Segmenti rreth 3.5 km, duhet të lidhë Qafë Gjashtën me rrugën nacionale
Ola mitre/SCAN
Me një fond limit prej 30.78 mln lekë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e bypassit të Sarandës. Në dokumentet e tenderit specifikohet se projekti duhet të përfshijë ndërtimin e një segmenti të ri rrugor që lidh Qafë Gjashtën me rrugën nacionale, Sarandë – Himarë, duke lënë të hapur zhvillimin e mëtejshem drejt lidhjes me rrugën Kardhiq – Delvinë – Sarandë dhe Rrugën e Bregut. Segmenti i ri prashikohet të ketë një gjatësi prej afërsisht 3.5 km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane ose interurbane, përfshirë një tunel me gjatësi afersisht 800-900 m.
Ndërtimi i këtij aksi pritet të zgjidhë problematikën e trafikut që krijohet gjatë sezonit veror. Sipas ARRSH, Saranda është një nga qytetet më të rëndësishme të turizimit bregdetar në Shqipëri dhe përjeton një katërfishim të popullsisë në sezonin veror me një trend gjithnjë në rritje.
Një frekuentim kaq i lartë sjell një situatë tejet të rënduar të trafikut në qytet dhe sidomos në hyrje – daljet e tij, ndërkohë që sistemi rrugor ekzistues si brenda qytetit ashtu dhe përreth, është i pamjaftueshëm për akomodim të një fluksi të tillë.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, trafiku i rënduar deri në bllokim, veçanërisht në hyrje të qytetit është kthyer në një normë, gjatë sezonit turistik, ndërsa nga vrojtimet të herë-pas-hershme ka rezultuar se pothuajse të gjitha nyjet kryesore të qytetit kanë vështirësi të theksuara në qarkullim.
Tenderi për kompanitë e interesuara do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 shtator, ndërsa projekti duhet të jetë gati 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.