Centrale eolike në Vaun e Dejës – Energjia e erës/Interes nga investitorët private. Nuk përfitojnë nga masat mbështetëse
Ola Mitre / Scan
Teksa energjia e erës nuk është shfrytëzuar ende në vendin tonë, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë mbërritur 2 aplikime të reja për ndërtimin e centraleve për prodhim nga ky burim energjie.
Të 2 projektet janë parashikuar të zhvillohen në Bashkinë Vau i Dejës, teksa kapaciteti i parashikuar për t’u instaluar në njërin projekt është 22.8 MW, ndërsa në tjetrin 17.1 MW. Ndërkohë që, në rast të miratimit shoqëritë “OLV” dhe “HTT”, që kanë paraqitur aplikimet nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë.
Aplikime të ngjashme janë paraqitur edhe më herët gjatë vitit për centrale të mëdhenj eolikë. Njëri prej tyre përfshinte një kapacitet të instaluar prej 120 MW, ndërsa tjetri 55 MW.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, aktualisht janë vetëm 2 kompani të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga era, por impiantet nuk kanë hyrë ende në prodhim.
Ndërkaq, në korrik të vitit që shkoi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli projektet fituese të Ankandit për Parqe Eolike, duke kualifikuar 3 kompani, teksa kapaciteti total i tyre ishte 222.48 MW.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.