Shqipëria Postuar më 15 Qershor 2026, 10:44

Zonat turistike, sistem modern të furnizimit me ujë - Mbi 40 milionë lekë për ujësjellësin në Palasë, Drimadhë e Dhërmi

Nga Ernilda Luzi

Zonat turistike, sistem modern të furnizimit me ujë - Mbi 40

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë Sh.A ka shpallur hapjen e dy procedurave të tenderuese. Projektet lidhen me furnizimin me ujë të pijshëm për zonat bregdetare në Palasë, Drimadhë dhe Dhërmi, si dhe krijimi i një sistemi të integruar për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura në zonën e Drimadhës.

Tenderi i parë ka të bëjë me studim-projektimin për furnizimin me ujë të pijshëm të zonave Palasë, Drimadhë dhe Dhërmi, Faza IV, me një fond limit prej 20 milionë e 823 mijë lekësh. Projekti synon të projektojë vazhdimin e linjës së transmetimit të ujit, pas përfundimit të Fazës III në dalje të tunelit të Llogarasë, si dhe rrjetin e shpërndarjes për zonat përfituese.

Zona e projektit përfshin të gjithë territorin e shpallur si “Zonë e investimeve strategjike në vendet e rëndësisë kombëtare për zhvillimin e turizmit”, duke përfshirë Palasën, Drimadhën dhe Dhërmiun. Ky projekt synon garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, në një kohë kur zhvillimi urban dhe rritja e ndjeshme e fluksit turistik kanë shtuar nevojat për burime ujore dhe infrastrukturë moderne, sidomos në periudhën e verës, kur këto burime paraqiten në nivelet e tyre minimale për shkak të natyrës së tyre karstike.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, do të realizohet integrimi i rrjetit ekzistues me rrjetin e ri shpërndarës; sigurimi i presioneve të duhura në rrjet, si dhe do të vlerësohen depot aktuale akumuluese dhe nevojën për ndërtimin e rezervuarëve të rinj, pasi nevojat gjatë sezonit turistik tejkalojnë shpesh kapacitetet ekzistuese.

Ndërkohë, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur edhe një procedurë të dytë tenderuese për studim-projektimin e sistemit të mbledhjes së ujërave të ndotura në zonën e Drimadhës dhe ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Fondi limit i këtij projekti është 19 milionë e 477 mijë lekë.

Zhvillimi i shpejtë ka rritur ndjeshëm presionin mbi mjedisin për shkak të mungesës së një infrastrukture të integruar për kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Aktualisht, në pjesë të ndryshme të zonës ekzistojnë rrjete të fragmentuara kanalizimesh, të cilat nuk janë të lidhura me një sistem të përbashkët trajtimi. Kjo situatë rrit rrezikun e ndotjes së ujërave detare dhe nëntokësore, veçanërisht gjatë sezonit veror kur popullsia sezonale shumëfishohet.

Projekti i ri synon krijimin e një rrjeti të unifikuar kanalizimesh që do të mbledhë ujërat e ndotura nga të gjitha zonat e zhvilluara dhe ato në zhvillim, duke i transferuar drejt një impianti të trajtimit të ujërave të ndotura.

Përmes këtij investimi synohet të përmirësohen kushtet higjieno-sanitare dhe të mbrojnë ekosistemet natyrore të Rivierës, si synohet garantimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjen e mjedisit në funksion të zhvillimit afatgjatë të turizmit dhe ekonomisë lokale.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat