Analiza Postuar më 15 Qershor 2026, 11:47

Shqiptarët investojnë më pak jashtë vendit/ Tkurrin kapitalin e eksportuar, 55.4 milionë euro në tre muajt e parë

Nga Scan TV

Shqiptarët investojnë më pak jashtë vendit/ Tkurrin

Investimet direkte të rezidentëve shqiptarë jashtë vendit ranë në 55.4 milionë euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, sipas të dhënave të Bilancit të Pagesave të “Bankës së Shqipërisë”. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur investimet arritën në 68 milionë euro, fluksi ka rënë me 12.6 milionë euro, ose rreth 18.5%.

Rënia vihet re edhe krahasuar me fundin e vitit 2025, kur shqiptarët investuan jashtë vendit 70.3 milionë euro. Megjithatë, ecuria afatgjatë tregon se interesi për të investuar jashtë kufijve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Shifra e vitit 2026 mbetet relativisht e lartë në krahasim me pjesën më të madhe të viteve të mëparshme. Për shembull, në tremujorin e parë të vitit 2021 investimet jashtë ishin vetëm 10.7 milionë euro, në vitin 2022 u rritën në 35.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 arritën në 51.5 milionë euro.

Ecuria historike tregon luhatje të forta. Në disa vite, si 2012, 2017, 2018 dhe 2019, treguesi ka qenë negativ, çka nënkupton ulje të mjeteve të investuara jashtë ose kthim kapitali. Pas vitit 2021, investimet e shqiptarëve jashtë hynë në një fazë rritjeje më të dukshme.

Nga pikëpamja e strukturës, pjesa më e madhe e investimeve në tremujorin e parë të këtij viti është përqendruar te kapitali dhe aksionet në fondet e investimeve, me 28.1 milionë euro, që përbëjnë rreth gjysmën e totalit. Fitimet e riinvestuara kontribuan me 19.7 milionë euro, ndërsa instrumentet e borxhit me 7.6 milionë euro. Kjo tregon se investimet e shqiptarëve jashtë nuk kufizohen vetëm në blerje asetesh financiare, por lidhen edhe me zgjerimin e bizneseve ekzistuese dhe riinvestimin e fitimeve në ekonomitë ku ata operojnë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat